Vizita e eurodeputetëve të grupit Gjelbër/EFA në Tiranë u shndërrua në një tjetër sinjal alarmi për qeverinë e Edi Ramës. Ndërsa propaganda vazhdon të shesë një Shqipëri “model”, mesazhi që erdhi nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian ishte krejt i kundërt: qytetarët po mbrojnë demokracinë, ndërsa qeveria po largohet gjithnjë e më shumë nga standardet europiane.
Përballë protestuesve, eurodeputetja Tineke Strik nuk kurseu kritikat. Ajo vlerësoi qytetarët që po ngrihen kundër padrejtësive dhe goditi drejtpërdrejt mënyrën se si qeveria po sillet me zërat kritikë.
“Ju jeni ata që po mbroni vlerat dhe të drejtat e Bashkimit Europian, ndërsa qeveria nuk po e bën”, deklaroi ajo, duke rrëzuar narrativën se çdo kritikë ndaj pushtetit është pengesë për integrimin.
Mesazhi ishte edhe më therës kur Strik ngriti shqetësimin për intimidimin e protestuesve dhe mungesën e demokracisë funksionale, duke lënë të kuptohet se problemi i Shqipërisë nuk janë qytetarët që protestojnë, por një qeveri që duket gjithnjë e më e shkëputur nga njerëzit.
Sipas saj, shqiptarët janë shumë më pranë Europës sesa vetë qeveria e tyre.
“Populli është gati për Bashkimin Europian, por qeveria ende jo”, ishte një nga deklaratat që përbën një kritikë të fortë politike ndaj mazhorancës.
Një tjetër goditje erdhi për modelin e zhvillimit të ndjekur nga qeveria Rama. Duke folur për ndërtimet në zonat e mbrojtura, Strik kërkoi që vendimet të mos diktohen nga interesat e investitorëve të fuqishëm, por nga interesi publik dhe mbrojtja e natyrës.
Madje mesazhi që ajo tha se do të çojë në Bruksel ishte edhe më i drejtpërdrejtë: Komisioni Europian duhet t’ia bëjë të qartë Edi Ramës se është koha të dëgjojë qytetarët e tij dhe jo investitorët e pasur.



