Prej 29 ditësh, Tirana është përfshirë nga protesta, ndërsa qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Në këtë tubim është bashkuar edhe Sindi Manushi, kryetarja e parë shqiptare e një bashkie në Itali.
Në fjalën e saj, ajo theksoi se nuk ishte e pranishme si përfaqësuese e një institucioni italian, por si një shqiptare mes shqiptarësh. “Sindi Manushi, kryetarja e parë shqiptare e një bashkie në Itali. Këtu nuk kam ardhur si institucion italian, unë jam njëra prej jush. Jam shqiptare, kjo është shtëpia ime dhe ju jeni njerëzit e mi. Keni treguar guxim përgjatë këtyre 28 ditësh. Shqipëri e Re. Arritët t’i shqyeni vellon e hipokrizisë që Edi Rama ka qëndisur gjatë këtyre 13 vite. U mor me propagandë, por kundër propagandës së Ramës, ju jeni e vërteta.”
Manushi u bëri thirrje protestuesve që të mos tërhiqen dhe të vijojnë të organizohen në shesh dhe përballë institucioneve. Ajo u shpreh se nuk duhet të kenë frikë nga politika, pasi Shqipëria u përket atyre. “Kam një kërkesë për ju, ju lutem mos u dorëzoni. Organizohuni, në shesh në institucioneve. Mos kini frikë nga politika, Shqipëria është e juaja…E gënjen mendja Edi Ramën se do shkrihet kjo protestë. E gënjen mendja, këtu na ka, këtu do na ketë.”
Ajo shtoi se protestuesit përfaqësojnë edhe ata njerëz që kanë frikë të jenë të pranishëm, por zëri i tyre, sipas saj, do të dëgjohet përmes votës dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt. “Ju keni nderin dhe përfaqësoni edhe njerëzit që kanë frikë të vinë këtu, por atyre do u dëgjohet zëri me anë të votës, dhe kjo do ndodhë shumë shpejtë”, tha ajo.



