Biblioteka shqipe mbi Sheshin “Skënderbeu” pa lëvizje në terren, po përgatitet dokumentacioni

Transformimi i sheshit ‘Skënderbeu’ në bibliotekë shqipe vazhdon të mbetet ende premtim dhe procedura në letër, pa rezultat konkret edhe rreth një muaji pas premtimit të kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, shkruan Portalb.mk.

Pavarësisht premtimit, në terren nuk ka pasur ende asnjë aktivitet për tranformimin e kupolave në bibliotekë.

Edhe pse u premtua se shumë shpejt do të ndaheshin më shumë detaje rreth projektit të Bibliotekës mbi sheshin Skënderbeu, gati një muaj pas premtimit, ende asnjë detaj nuk është bërë publik për opinionin.

Disa qytetarë për Portalb.mk u shprehën skeptikë për realizimin e këtij projekti. Ata thanë se, derisa ende nuk kanë parë punime në terren apo informacione më konkrete për ecurinë e projektit, mbeten të rezervuar në pritjet e tyre.

“Jemi mësuar me premtime të llojeve të ndryshme, por në praktikë ato nuk po realizohen gati se asnjëherë”, tha një qytetar.

Sipas një studenti, projekti është i nevojshëm dhe nëse realizohet, do të jetë një ndihmë e madhe për studentët duke ju ofruar kushte më të mira studimi.

“Uroj që projekti të realizohet ashtu siç i ka hije një biblioteke dhe në fund të mos mbetet vetëm një ndërhyrje formale për të përmbushur një premtim, por një hapësirë funksionale për studentët”, u shpreh ai.

Se ku ka ngecur ky projekt e pyetëm Komunën e Çairit, megjithatë nga aty nuk dhanë ndonjë detaj konkret, theksuan se projekti mbetet prioritet.

Sipas komunës, aktualisht po punohet në përgatitjen e konceptit dhe dokumentacionit projektues.

“Paralelisht, Komuna e Çairit po zhvillon komunikim dhe bashkëpunim me shtëpi botuese të njohura nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova, me qëllim krijimin e një fondi cilësor librash dhe të një qendre të rëndësishme kulturore për promovimin e librit, dijes dhe leximit në gjuhën shqipe”, thanë nga Komuna e Çairit.

Nga komuna shtuan se opinioni do të informohet me kohë për fazat e ardhshme të realizimit të këtij projekti, të cilin e cilësojnë si një ndër projektet strategjike të komunës.

Çfarë premtoi kreu i Çairit, Izet Mexhiti para një muaji?

“Po ndërtojmë Bibliotekën Shqipe. Po nisim procedurën për transformimin e hapësirës mbi Sheshin ‘Skënderbeu’ në një bibliotekë moderne, të hapur për nxënësit, studentët dhe të gjithë qytetarët. Kjo do të jetë një shtëpi e dijes dhe kulturës në zemër të Çairit”, u shpreh Mexhiti në fillim të qershorit.

Ai njoftoi se projekti do të “pasurojë jetën kulturore në Komunën e Çairit dhe do të mundësojë qasje më të lehtë në literaturë në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhë të tjera, për të gjitha brezat”.

Mexhiti nuk shpjegoi se cili do të jetë statusi administrativ i bibliotekës shqipe mbi sheshin Skënderbeu.

Ndryshe, kupolat gjysmësferike (tendat) në Sheshin Skënderbeu në Shkup janë pjesë e projektit origjinal të sheshit. Ndërtimi i sheshit filloi në vitin 2012, ndërsa projekti u përmbyll dhe u inaugurua zyrtarisht në fund të shtatorit të vitit 2017. Kupolat u vunë në funksion si e vetmja pjesë e mbuluar e sheshit, duke ofruar mbrojtje nga shiu dhe temperaturat e larta.

Megjithatë, me kalimin e viteve ato u dëmtuan për shkak të mungesës së mirëmbajtjes. Në vitin 2023, Portalb.mk raportoi se kupolat ishin në gjendje të keqe, disa prej tyre ishin shndërruar në strehë për persona të pastrehë, ndërsa Komuna e Çairit premtoi se do t’i zëvendësonte me të reja.