Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka prezantuar masat dhe politikat që po ndërmerren për avancimin e sistemit të dhurimit të organeve në vend, gjatë një panel-diskutimi publik të mbajtur në Gostivar.
Aliu theksoi se dhurimi i organeve është një akt human që kërkon besim dhe ndërgjegjësim shoqëror, duke bërë thirrje që kjo temë të diskutohet hapur në familje, shkolla, universitete dhe institucione shëndetësore, e jo vetëm në momentet e vështira në spitale.
Ai bëri të ditur se Ministria e Shëndetësisë po zhvillon një fushatë kombëtare për rritjen e ndërgjegjësimit, ndërsa paralelisht po punon në përfshirjen e mjekëve amë, institucioneve arsimore, shoqatave të pacientëve dhe bashkësive fetare në promovimin e dhurimit të organeve.
Sipas ministrit, në procedurë parlamentare ndodhen ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime mjekimi, të cilat synojnë të forcojnë sistemin dhe të garantojnë respektimin e vullnetit të qytetarëve.
Me ndryshimet e propozuara, çdo qytetar madhor do të ketë mundësi të deklarojë te mjeku amë nëse dëshiron të jetë dhurues organesh. Deklarimi do të realizohet përmes një moduli të ri digjital në sistemin “Termini im”, me verifikim të dyfishtë dhe me mundësi që vendimi të ndryshohet ose të tërhiqet në çdo kohë.
Ndryshimet ligjore parashohin gjithashtu zgjerimin e rrethit të dhuruesve të gjallë deri në shkallën e katërt të farefisnisë, duke respektuar standardet etike, mjekësore dhe ligjore.
Në përfundim, Aliu deklaroi se ai vetë do të jetë personi i parë që do të regjistrohet si dhurues organesh sapo sistemi i ri të hyjë në funksion.



