Kur politika mbetet pa ide, kërkon strehë te simbolika

Jeni katandisur aq poshtë si subjekt politik, sa nuk dini më çfarë t’u ofroni qytetarëve. Në mungesë të ideve, vizionit dhe një platforme serioze politike, përpiqeni të mbijetoni duke hapur tema që nuk zgjidhin asnjë nga problemet reale të shqiptarëve.

Prej kohësh kemi thënë se politika ndërtohet mbi vizion, përgjegjësi dhe rezultate, jo mbi improvizime. Ata që për më shumë se dy dekada na bindnin se kishin realizuar gjithçka – gjuhën shqipe, flamurin, barazinë dhe përfaqësimin – sot organizojnë protesta për tabelat e rrugëve.

Pyetja është e thjeshtë: ku ishit gjatë gjithë këtyre viteve? Nëse tabelat kanë qenë problem, pse nuk i zgjidhët kur ishit në pushtet? Atëherë e mashtruat popullin apo po përpiqeni ta mashtroni edhe sot?

Interesat kombëtare nuk mund të reduktohen në tabela, emra rrugësh apo sheshesh. Kjo është nënçmim për inteligjencën e shqiptarëve. Problemet tona janë shumë më të mëdha.

Shqiptarët kërkojnë barazi të plotë në shtet: përfaqësim dinjitoz në Presidencë, Qeveri dhe gjyqësor, ndarje të drejtë të buxhetit, zhvillim ekonomik, drejtësi të barabartë dhe një rend kushtetues që garanton të drejtat e tyre si popull shtetformues. Për këto kauza duhet të ngrihet zëri, jo për çështje që shërbejnë vetëm për të mbuluar dështimet e më shumë se dy dekadave në pushtet.

Shqiptarët nuk kanë më nevojë për premtime, por për zgjidhje konkrete. Nëse ky shtet është i gatshëm të garantojë barazi të plotë kushtetuese dhe institucionale, le ta dëshmojë me vepra. Në të kundërt, është e drejtë legjitime e shqiptarëve të kërkojnë një alternativë tjetër politike.

Pa një marrëveshje të re politike shqiptaro-maqedone, të ndërtuar mbi parimin e barazisë së plotë, stabiliteti afatgjatë i shtetit mbetet i pasigurt.

Nuk kemi më kohë për debate që largojnë vëmendjen nga thelbi i problemit. Koha kërkon zgjidhje të qëndrueshme dhe përgjegjësi politike.

Për më shumë se dy dekada u kemi bërë thirrje shqiptarëve të mobilizohen rreth një projekti politik që di, guxon dhe mbron interesat kombëtare. Alternativat e tjera janë provuar për më shumë se njëzet vjet dhe rezultatet janë para syve të të gjithëve.

Koha e iluzioneve ka përfunduar. Shqiptarët meritojnë politikë me vizion, guxim dhe rezultate.

Prandaj, bashkohuni rreth idesë së Marrëveshjes Politike – si rruga e vetme për të garantuar barazinë kushtetuese, për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve, si dhe për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për çdo shqiptar dhe për vetë stabilitetin e shtetit…