Ahmeti kundër protestës në Tiranë: Më dhemb që goditet turizmi në Shqipëri / Rama: Shqiptarë pa din e iman

“Shqipëria po goditet qëllimisht për të sulmuar një nga sektorët strategjik të saj, turizmin”, tha kreu i BDI Ali Ahmeti për protestat në Tiranë. Sipas tij qëllimet janë dashakeqe dhe ato vijnë nga Greqia e Serbia. Ahmeti tha se protestuesit kanë bërë në grackën e armiqve pa i analizuar pasojat që i shkaktojnë kombit. Më tej ai shtoi se i vjen turp nga bashkëkombasit e tij në protestë.

“Ne e shohim që këtu Shqipëria nga këto protesta që nuk dihet ku e kanë kokën, merr dy goditje të forta. Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi, goditete tek turizmi. Nga doli fushata e parë? Nga Greqia sepse turizmi po i rrezikohet Greqisë nga Shqipëria. Që një shtet fqinjë s’bën të mendojë kështu për fqinjin e vet. Po ja që ka ndodhur, sepse deklarata e parë dhe reagimet e para erdhën nga Greqia. Kush u bë zëdhënësi i parë i kësaj fushate në Beograd? I njëjti që bën fushatën e protestave në Serbi, bënë fushatën për protestat në Shqipëri. Dikush mund të ngrihet dhe të thotë, Ali Ahmeti po mbron Edi Ramën? Jo. Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe i dhimbset Shqipëria,” tha Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Ahmeti këto i bëri nga foltorja e aktivitetit partiak në Butel të Shkupit.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, nga ana tjetër, ka vazhduar me publikimin e qëndrimeve të tij në rrjetet sociale. Rama tha se nuk ka forcë që e ndal atë, Partinë Socialiste dhe qytetarët që besojnë në të, në misionin drejtë Shqipërisë 2030 në Bashkimin Evropianë. Ai, me tone të ashpra, kategorizon protestuesit.

“Përfitues të turlillojshëm, shqiptarë pa din e as iman, shpirtra të korruptuar nga motive të dobëta, patriotë të shtirur, aktivistë të shtirur, besimtarë të shtirur, që në teatrin e maskave të bulevardit i ka nxjerrë paraja e huaj, këneta e vendit apo të dyja bashkë, e kthyen protestën e nisur për natyrën në një ujdhesë zvarranikësh që lëvrijnë mes të rejave e të rinjve të mbetur, duke i lëpirë e pickuar njëkohësisht dhe duke shpërndarë në çdo drejtim helmin e një urrejtjeje ndotëse për Shqipërinë”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Protesta në Tiranë kundër projektit për ndërtimin e resorit luksoz në Zvërnec sot hyn në ditën e 26. Numri i pjesëmarrësve ka shënuar rritje gjatë ditëve të fundit kurse atyre u janë bashkuar edhe protestues nga Maqedonia, Kosova e diaspora shqiptare./Alsat.mk.