Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka njoftuar se në lagjen “Cetinsk” po vazhdojnë investimet infrastrukturore, me realizimin e dy rrugëve të reja që, sipas tij, do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës për banorët e kësaj zone, transmeton Zhurnal.mk.
Sipas Kasamit, projekti përfshin ndërtimin e rrugëve “Mihajllo Rajçeviç” dhe “Risto Antevski”, të cilat po ndërtohen me infrastrukturë të plotë moderne.
Ai bëri të ditur se, përveç asfaltimit, projekti përfshin edhe ndërtimin e kanalizimit atmosferik dhe vendosjen e rrjetit të ri të ujësjellësit, me qëllim krijimin e një infrastrukture më funksionale dhe të qëndrueshme.
Kasami njoftoi se ekipet ndodhen në terren dhe po vazhdojnë punimet e asfaltimit, ndërsa projekti po i afrohet fazës së përfundimit.
Sipas tij, investimet në lagjen “Cetinsk” janë pjesë e angazhimit të Komunës së Tetovës për zhvillimin urban dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore në shërbim të qytetarëve. përcjell Zhurnal.mk .



