Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se do ta shqyrtonte nëse emri i tij do të propozohej për president si emër i opozitës së përbashkët. Ai ka thënë po ashtu se AAK-ja nuk do të bëhet pjesë e Qeverisë Kurti.
Ai ka thënë se vetëm bashkimi i opozitës me një marrëveshje dhe një kandidat të përbashkët për president do të mund ta ndryshonte situatën aktuale politike. Sipas tij, mungesa e një alternative të organizuar opozitare po i jep mundësi Kurtit të vazhdojë me politikat e tij dhe ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
“Përderisa nuk kemi, një kontratë edhe s’kemi një ofertë, ne jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti dhe ai do ta zbatojë atë që di më së miri, një lloj eksperimentimi me Kosovën e do të na dërgojë në zgjedhje prapë. Pra kjo është ajo që e di edhe ajo që po ndodh. Nga përvoja ime politike e gjatë unë po e lexoj këtë”, ka thënë ai, raporton “Ekonomia Online”.
Haradinaj ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjes së presidentit, duke thënë se opozita mund të bëhet faktor vendimtar nëse arrin marrëveshje të përbashkët.
“Opozita mundet pra, me hy e me qenë faktor në marrjen e fatit të vendit në dorë, duke pasur një kontratë mes vete edhe një kandidaturë për president. Nëse dikush nga opozita e merr mbështetjen e opozitës, gjithsesi që do ta mbështesja, nëse do të isha i propozuar (për president) do ta shqyrtoja. Pra, nuk jam kandidat, nuk kam kushte, nuk kam kërkesë për askënd. Ne nuk bëhemi pjesë e qeverisjes ose vazhdimit të qeverisjes Kurti, se e kemi shpjeguar disa herë sa e dëmshme edhe sa humbje është për Kosovën. Po e thashë edhe një herë, përderisa VV nuk bie nën 40%, do të jetojmë në epokën Kurti, në agjendën Kurti, në eksperimentin Kurti. Mundemi me e pengu këtë, mundemi me e ndryshu vetëm nëse bëhemi bashkë opozita”, ka shtuar ai.
AAK-ja ka dalë sërish e katërta në zgjedhjet e 7 qershorit. Kjo parti ka siguruar 7 ulëse. Tri partitë opozitare shqiptare PDK, LDK e AAK bashkë kanë 47 ulëse. Vetëvendosje si fituese ka siguruar 53. Për Qeverinë dhe Kuvendin mjaftojnë 61 ulëse, ndërsa për president duhen 80 deputetë të qëndrojnë në sallë në dy rundet e para të votimit.



