Izraeli nuk do të tërhiqet nga Libani jugor, edhe nëse një gjë e tillë kërkohet nga Shtetet e Bashkuara.
Kështu deklaroi ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, gjatë aktivitetit MUNI EXPO 2026.
“Nuk do të tërhiqemi nga Libani jugor, edhe nëse ka një kërkesë amerikane për ta bërë këtë”, tha Katz, duke shtuar se rreth 200 mijë banorë libanezë të zhvendosur nuk do të lejohen të kthehen në zonat e kontrolluara nga ushtria izraelite.
Sipas tij, Izraeli nuk do të lejojë praninë e civilëve në këto zona, duke argumentuar se përvoja e kaluar ka treguar se zonat e sigurisë me popullsi civile janë shfrytëzuar për vendosjen e eksplozivëve dhe sulme ndaj ushtarëve.
“Nuk do të ketë civilë dhe nuk do të ketë terroristë. Ushtarët do të jenë brenda, banorët jashtë”, u shpreh ministri, duke shtuar se infrastruktura është shkatërruar dhe banesat konsiderohen të rrezikshme.
Katz e lidhi këtë strategji me sulmet e 7 tetorit 2023, duke deklaruar se pas tyre Izraeli ka ndërmarrë një ofensivë që, sipas tij, ka sjellë arritje të rëndësishme ushtarake.
Ministri deklaroi gjithashtu se Izraeli nuk do të tërhiqet as nga territoret e marra nën kontroll në Siri.
“Kjo është doktrina jonë e sigurisë. Forcat e Mbrojtjes së Izraelit duhet të jenë në territorin e armikut dhe të mbrojnë komunitetet tona nga brenda atij territori”, tha ai.



