Me ribalancimin e buxhetit të Qytetit të Shkupit janë siguruar 350.000 euro për servisimin e teleferikut në Vodno, raporton SDK. Teleferiku nuk funksionon prej dy muajsh, pasi ekziston rreziku që ndonjë nga gondolat të bjerë, duke qenë se për 15 vjet nuk është kryer servisimi i tij, transmeton Portalb.mk.
Servisimi pritet të nisë gjatë kësaj vere dhe, sipas ndërmarrjes publike NQP “Shkup”, teleferiku do të vihet sërish në funksion në shtator.
“Deri në fund të kësaj jave do të shpallet tenderi për përzgjedhjen e kompanisë që do të kryejë servisimin. Pas kësaj, gjatë verës do të fillojë procesi i servisimit dhe eliminimi i të gjitha mangësive që janë shfaqur ndër vite. Pas vlerësimeve të bëra, me ribalancimin e buxhetit janë siguruar 350.000 euro. Sikur servisimi të ishte kryer rregullisht, kostoja do të kishte qenë shumë më e ulët”, thonë nga NQP “Shkup”.
Meqenëse teleferiku nuk do të funksionojë gjatë gjithë verës, për turistët që dëshirojnë të vizitojnë në mënyrë të organizuar Vodnon, përkatësisht të shkojnë deri te Kryqi i Mijëvjeçarit (Millennium Cross), Qyteti i Shkupit po lëshon leje të posaçme për transport të organizuar me autobusë.
Teleferiku në Vodno u ndërtua gjatë qeverisë së mëparshme të VMRO-DPMNE-së, e udhëhequr nga Nikolla Gruevski, dhe u vu në përdorim më 3 qershor 2011.
Teleferiku kushtoi 6,7 milionë euro, ka 28 kabina me kapacitet mbajtës prej 640 kilogramësh dhe hapësirë për tetë persona secila, si dhe dy kabina VIP me kapacitet për katër persona. Gondolat janë të pajisura edhe me mbajtëse për biçikleta në pjesën e jashtme.



