Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe drejtor i Zyrës së Komisionit Qendror për Punët e Jashtme, u takua të hënën në Nju-Delhi me Ministren në Presidencë të Afrikës së Jugut Khumbudzo Ntshavheni, duke bërë thirrje për bashkëpunim më të ngushtë Kinë-Afrikë e Jugut dhe solidaritet më të madh midis vendeve të BRICS-it për të mbrojtur multilateralizmin dhe interesat e Jugut Global.
Wang tha se Kina dhe Afrika e Jugut, si përfaqësuese të ekonomive në zhvillim dhe anëtare themeluese të BRICS-it, kanë mbështetur vazhdimisht multilateralizmin, kanë promovuar demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, kanë ruajtur shkëmbime të ngushta të nivelit të lartë dhe kanë thelluar bashkëpunimin praktik në fusha të ndryshme, gjë që përcakton një model solidariteti midis vendeve të Jugut Global.
“Unilateralizmi në rritje dhe ligji i xhunglës po dëmtojnë të drejtat dhe interesat e ligjshme të të gjitha vendeve dhe po gërryejnë normat që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Wang. Ai u bëri thirrje vendeve të BRICS-it, si një forcë thelbësore e Jugut Global, të forcojnë unitetin dhe koordinimin, të rrisin ndikimin e mekanizmit të BRICS-it si një platformë për vendet në zhvillim për të ndjekur zhvillimin e përbashkët dhe të mbështesin së bashku drejtësinë dhe barazinë ndërkombëtare, duke mbrojtur paqen e qëndrueshmërinë globale.
Ntshavheni tha nga ana e saj që Afrika e Jugut i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën dhe gjithmonë e ka konsideruar Kinën si një mike të besueshme.
Ajo e falënderoi Kinën për mbështetjen e dhënë për një kohë të gjatë për Afrikën e Jugut dhe Afrikën, duke thënë se politika e tarifave zero e Kinës për Afrikën ka sjellë përfitime të prekshme për vendet afrikane dhe popujt e tyre.
Ntshavheni shprehu gatishmërinë e Afrikës së Jugut për të forcuar shkëmbimet e nivelit të lartë me Kinën dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në tregti e investime, sigurinë kibernetike, infrastrukturë dhe fusha të tjera, për t’i ngritur lidhjet dypalëshe dhe ato Afrikë-Kinë në një nivel të ri.


