Fejzi HAJDARI
Sinqerisht mendoj se ka shumë hapësirë për tu kritikuar qytetarët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, pastaj edhe qarqet intelektuale, kulturore, akademike dhe sidomos politike. Dihen mirëfilli dështimet spektakolaret të faktorit politikë shqiptarë këtu në Maqedoninë e Veriut. Mjafton të përmendim vetëm rastin e zyrtarizimit të gjuhës shqipe, që as për 35 vite demokraci, nuk arritën ta zyrtarizojnë në një rrafsh me maqedonishten.
Të mos flasim për aferat e montuara gjyqësoro-politike, ku shqiptarët e pafajshëm, pa kurrfarë provash, me vite të tëra mbahen në burg. Nuk dua të flas për organizimin e shqiptarëve si shoqëri. Për politikën, as që ia vlen të mendohet…, edhe pas 35 vitesh ngelëm “popull pa emër” – “20 për qind”!
Të gjitha kritikat nga Prishtina e Tirana, do të ishin të mirëseardhur për ne, kuptohet, kur kanë qëllim të mirë dhe kur paketohen me një mozaik të thuktë argumentesh e etapash implementimi, por jo edhe kur kritika ka një prapavi politike dhe nuk ka të bëjë fare me interesin e shqiptarëve.
Fatkeqësisht, ditëve të fundit jemi para një fushate të mirëmenduar dhe me prapavijë puro politike, që vjen nga Prishtina, por si duket e kurdisur dhe dirigjuar edhe nga Tirana. Ashtu krijohet përshtypja nëse merrë parasysh mozaikun e zhvillimeve dhe sidomos përvojën e deriatnishme të zhvillimeve të mirë-kurdisura në relacionin Prishtinë-Tirane, por edhe Shkup. Ky trekëndësh djalli, njihet për funksionim perfekt, i shoqëruar edhe mediat e oligakëve në Tiranë e Prishtinë, sidomos gjatë trazirave në veri të Kosovës, kur me veprime më shumë hidhte mjegull mbi atë që e shkaktonin strukturat paralele serbe, sesa i mbështeste autoritetet legjitime qeveritare kosovare në përballjen me gjendje skajshmërisht të rënë dhe jetike.
Pra, kjo fushatë bombardimi e shqiptarëve të Maqedonisë nga analistët apo gazetarët, që janë pjesë e skandaleve të shumëta në Kosovë e gjetiu, sidomos atyre që herë-herë janë dëgjuar duke biseduar më kriminelin Milan Radoiciq, ku ju dridhej buza e zëri, të mbush me shumë dyshime se dicka e madhe po dirigjohet nga distanca, për qëllime djallëzore.
Ajo që më bëri përshtypje është koincidenca (momenti) se këta analistë (gazetarë) u aktivizuan pikërisht kur kryeministrit Rama, filloi seriozisht t’i dridhet pushteti nga protestat masive në Tiranë, dhe kur pikërisht Rama, filloi të hedh akuza – herë nga Maqedonia, e herë nga Prishtina, biles edhe me tepër se kaq…
Duhet kuptuar edhe atë të shkretin, se për herë të parë është në hall të madh dhe s’ka nga t’ia mbajë, por, gjithsesi nuk e kuptova se pse i nevojitet “misionarllëku” i gazetarëve të Prishtinës (që njihen për biznese edhe në Veri të Kosovës, ku kanë patur allashverishe milionëshe me serbë!). Nuk e di nëse kryeministri shqiptar e dinë se pikërisht këta analistë, deri tani pothuajse haptas nuk i kanë kritikuar politikat destabulizuese të strukturave paralele serbe në Veri, e as që janë marrë ndonjëherë seriozisht me pozitën super diskriminuese të shqiptarëve të Maqedonisë, sic janë aktivizuar sot. Përkundrazi ata dalin bashkëpuntorët më të ngushtë të Radoiciqit dhe kriminelëve tjerë të politikë të cilët brenda natës u bënë milionerë.
Gjykuar sipas zhvillimeve që koincidojnë njëra me tjetrën, kjo më së shumëti i ngjanë kërkesës për spostimin e vëmendjes nga Tirana, duke e kthyer fokusin në lehjet e analistëve të Prishtinës që kërkojnë të përplasen me shqiptarët e Maqedonisë, vetëm e vetëm të krijohet një vatër tjetër, jashtë Tiranës. Kjo punë është shumë e rrezikshme sepse ka mundësi të ngjallë dhe shkaktoj përplasje ndërshqiptare. Janë pikërisht ide dhe tendenca të cilat me shekuj i kanë përgatitur dhe në disa raste realizuar, qarqet e Beogradit. Përcarja dhe mosmarrëveshjet ndërshqiptarëve momentalisht ju levërdisin, vetëm atyre që politikisht janë në hall të madh, e që janë futur në rrugë pa kthim.
Disa herë në kolumnat e mija kam shkruar se përfshirja e analistëve e gazetarëve misionarë nga Kosovë dhe Shqipëria (si Baton Haxhiu, Blendi Fevziu, Adriatik Kelmendi, Buzhala etj etj) në çështjet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, më shumë i ka dëmtuar interesat e shumicës shqiptare sesa i ka ndihmuar. Në fakt, nga rreshtoheshin këta “misionarë gazetarie”, ai opsion politik (apo cfarëdo qoftë) pësonte humbje gjithandej, e sidomos në Maqedoni. Disa prej këtyrë misionarëve, kanë shkruar shkrime afirmative për ish-kryeiministrin Nikolla Gruevski, pikërisht në kohën kur ai shqiptarët i frikësonte dhe diskriminonte. Pikërisht këta tipa misionarësh erdhën për t’na bindur se zgjedhja e Talat Xhaferit për kryeministër me afet dhe ingerenca të kufizuara, të turpshme, është akti “historic”.
Nuk mendoj se Rama ka vendosur të bëhet viktimë e analistë-gazetarët të cilëve sipas dyshimeve, Beogradi me thasë ua sillte honoraret në “Merdare”, vendkalimin kufirar Kosovë-Serbi. Të tillët ishin mësuar të shkruanin ose debatonin në emisione televizive me orë të tëra, por apriori për këtë “kontribut”, kërkonin garantimin e honorareve nga oligarkët, bizneset i të cilëve bazohej në relacionet me Beogradin. Si duket të mësuar nga kjo eksperiencë, tani të njëjtën e duan edhe nga Tirana, në “Qafë Morinë”.
Krijohet përshtypja se këta analistët – “ithtarë të lekëve me thasë në kufi”, kësaj radhe e kanë ndërruar (spostuar) destinacionin, nga “Merdarja” në “Qafë Morinë”.
Sa shpejtë e mësuan leksionin: “Sa pare, aq muzikë” – Herë në Merdare, e herë në Morinë!!



