Demant: Për interesa politike po sulmohet një grua, një nënë dhe një profesioniste

default

Përmes një reagimi të publikuar në profilin e saj në Facebook, Brikena Ramadani ka demantuar pretendimet dhe sulmet e publikuara nga profile të rreme dhe portale, duke i cilësuar ato si përpjekje për njollosjen e figurës së saj për interesa politike, përcjell tetova1

Ramadani, magjistre e Arkitekturës dhe urbaniste e licencuar, sqaron se që nga viti 2012 është e punësuar në Komunën e Sarajit në sektorin e urbanizmit, ku ushtron profesionin e saj prej më shumë se një dekade.

Lidhur me pagesat e publikuara nga Komuna e Tetovës, ajo thekson se bëhet fjalë për kompensim të marrë në cilësinë e anëtares së Komisionit Zgjedhor gjatë procesit zgjedhor, pagesë që u takon të gjithë komisionerëve të angazhuar në ditën e zgjedhjeve sipas procedurave dhe rregullave ligjore.

Ndërkaq, angazhimi i saj në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është në kuadër të një projekti ndërkombëtar me afat të caktuar, për të cilin është përzgjedhur përmes thirrjes publike, në përputhje me kualifikimet dhe përvojën e saj profesionale.

Në reagimin e saj, Ramadani shpreh shqetësim për fushatën e shpifjeve që po zhvillohet kundër saj, duke theksuar se sulmet kanë kaluar çdo kufi të etikës dhe njerëzisë.

Ajo dënon veçanërisht përfshirjen e fotografive të një vajze të re, e cila nuk ka asnjë lidhje me çështjen në fjalë, duke vlerësuar se përdorimi i personave të pafajshëm për qëllime politike përbën një akt të ulët dhe të papranueshëm.

“Për interesa politike po sulmohet një grua, një nënë dhe një profesioniste”, thuhet në reagimin e saj, duke apeluar që debati publik të zhvillohet mbi fakte dhe argumente, e jo mbi shpifje dhe manipulime./tetova1.mk