Zvicra do të krijojë një batalion dronësh deri në vitin 2028, si pjesë e një strategjie të re ushtarake që synon përballimin e kërcënimeve hibride, sulmeve me rreze të gjatë veprimi dhe sfidave në hapësirën kibernetike, raporton Bloomberg.
Vendimi u miratua nga Këshilli Federal, i cili prezantoi edhe udhëzimet e reja të mbrojtjes që parashikojnë një fokus më të madh te mbrojtja e infrastrukturës kritike, inteligjenca ushtarake dhe lufta elektronike.
Ministri zviceran i Mbrojtjes, Martin Pfister, deklaroi më parë se prioritetet e reja janë përshtatur për t’iu përgjigjur kërcënimeve më të mundshme të dekadës së ardhshme.
Sipas planit të paraqitur në parlament, qeveria synon të investojë rreth 3.4 miliardë franga zvicerane për forcimin e ushtrisë, ndërsa parashikohet edhe një financim shtesë prej rreth 500 milionë frangash përmes huamarrjes.
Një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të shkojë për mbrojtjen ajrore.
Autoritetet planifikojnë të investojnë 1 miliard franga në sisteme shtesë IRIS-T SLM për zgjerimin e mbulimit mbrojtës dhe mbrojtjen e objekteve strategjike. Një tjetër fond prej 800 milionë frangash do të përdoret për zëvendësimin e sistemeve ekzistuese të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër.
Po ashtu, qeveria ka rezervuar 70 milionë franga për sisteme të reja kundër dronëve, të cilët konsiderohen gjithnjë e më shumë si një kërcënim serioz për objektivat ushtarake dhe infrastrukturën civile.


