Kosova përfiton gati pesë herë më shumë se Shqipëria nga fondet e UEFA-s

Kosova ose më saktë, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) do të përfitojë afro pesë herë më shumë fonde se Shqipëria (Federata Shqiptare e Futbollit – FSHF) nga skema e solidaritetit e UEFA-s për sezonin 2025-26, e krijuar për të mbështetur klubet që nuk marrin pjesë në garat evropiane.

Sipas raportit të publikuar nga UEFA, Kosova renditet mes vendeve që marrin përfitime relativisht të larta, me një fond prej 681 mijë eurosh, ndërsa Shqipëria do të përfitojë vetëm 143 mijë euro.

Shifra e vendos Kosovën në një nivel të krahasueshëm me vende si Finlanda (693 mijë euro), Suedia (709 mijë euro) dhe Bosnjë dhe Hercegovina (758 mijë euro), ndërsa Shqipëria ndodhet në grupin e vendeve me përfitimin më të ulët, së bashku me Moldavinë dhe Estoninë.

Të dhënat janë pjesë e skemës së UEFA-s për “balancën konkurruese”, e cila shpërndan 77.4 milionë euro në total për federatat kombëtare, me synimin për të mbështetur klubet jashtë garave evropiane dhe për të reduktuar hendekun financiar mes tregjeve të ndryshme të futbollit.

Në rajon, edhe Maqedonia e Veriut rezulton përfituese më e madhe se Shqipëria me 650 mijë euro, ndërsa Mali i Zi do të marrë 103 mijë euro.

Shifrat pasqyrojnë formulën e re të shpërndarjes së UEFA-s, e cila merr parasysh faktorë të ndryshëm që lidhen me konkurrueshmërinë dhe strukturën e kampionateve kombëtare.

Në listën e përgjithshme, përfituesit më të mëdhenj janë Portugalia me 8.55 milionë euro, Norvegjia me 5.71 milionë euro dhe Turqia me 5.35 milionë euro.