Procesi i numërimit të votave në zgjedhjet e Kosovës po i afrohet përfundimit, por rezultati përfundimtar ende nuk është mbyllur, pasi mbeten për t’u numëruar votat me postë dhe ato me kusht. Sipas të dhënave të deritanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike, duke siguruar 52 mandate parlamentare dhe rreth 45.89% të votave.
Pas saj renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22 ulëse dhe rreth 19.96% të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar 19 mandate me 17.04%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka siguruar 7 mandate, me rreth 6.89% të votave.
Edhe pse trendi aktual favorizon Vetëvendosjen, procesi nuk është mbyllur ende. Rreth 35 mijë vota me postë dhe afërsisht 11 mijë vota me kusht dhe nga personat me nevoja të veçanta pritet të ndikojnë në rezultatin final.
Rezultatet kanë ndryshuar në disa faza të numërimit: në rezultatet preliminare, VV kishte rreth 42.96% dhe 48 mandate, në votimet nga përfaqësitë diplomatike, partia ka marrë mbi 83% të votive, ndërsa në votat me postë, mbështetja ka arritur rreth 70.26%. Vetëvendosjes i duhet të ruajë një trend të lartë, mbi 70% në votat e mbetura, për të siguruar edhe një mandat shtesë në Kuvend.
/rtsh.al/



