Deputetja e zgjedhur e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka njoftuar se largohet nga Grupi Parlamentar socialist dhe do të vijojë mandatin si deputete e pavarur.
Përmes një reagimi publik, Koçeku – e njohur gjerësisht edhe si Neomalsorja – deklaroi se vendimi lidhet me parimet dhe vlerat që, sipas saj, i ka mbrojtur edhe përpara angazhimit në politikë.
“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, shkroi ajo, siç e ka për shprehi, në dialektin gegë.
Largimi i Koçekut vjen në kulmin e debatit publik për projektin e investimit në zonën e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit, çështje që ka nxitur protesta të përditshme në Tiranë dhe reagime të forta nga aktivistë mjedisorë, qytetarë dhe figura publike.
Edhe pse deputetja nuk e përmend drejtpërdrejt Zvërnecin në deklaratën e saj, vendimi shihet i lidhur me qëndrimet e saja të përsëritura në mbrojtja të natyrës dhe mjedisit, ku edhe ka angazhimin kryesor.
Koçeku, e njohur më herët si aktiviste për mbrojtjen e mjedisit dhe e identifikuar publikisht me kauzat e veriut të vendit, ka shprehur rezerva ndaj zhvillimeve që sipas kritikëve rrezikojnë ekosistemet natyrore dhe interesin publik.
Njoftimi i saj vjen vetëm pak orë pas nisjes së protestës së 15-të kundër kryeministrit Edi Rama, ku çështja e Zvërnecit pritet të jetë sërish një nga temat kryesore të tubimit.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Partia Socialiste lidhur me vendimin e Koçekut.



