Sveçla pas arrestimeve për krime lufte: Nuk do të ketë kompromis ndaj kriminelëve

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mirëpritur arrestimin e pesë personave të dyshuar për pjesëmarrje në Masakrën e Reçakut, si dhe të një të dyshuari për vrasjen e civilëve në Ponesh, raporton GazetaBlic.

Sveçla tha se krimet e luftës të kryera nga forcat serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht më shumë se kurrë më parë, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj autorëve të krimeve kundër popullatës së Kosovës.

Ai përgëzoi Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Kosovës dhe Agjencinë Kosovare të Inteligjencës për punën në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

Reagimi i plotë:

Krimet e luftës të kryera nga forcat policore-ushtarake si dhe ato paramilitare serbe po hetohen dhe ndiqen penalisht si asnjëherë më parë, sepse nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë kompromis ndaj krimeve të kryera kundër popullatës sonë.

Përgëzoj Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe AKI-në për arrestimin e pesë të dyshuarve për pjesëmarrje në masakrën e Reçakut, si dhe të një të dyshuari për vrasjen e civilëve në Ponesh të Gjilanit.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe për këtë fakt, të gjithë ata që kanë planifikuar, urdhëruar apo zbatuar krime kundër popullit tonë duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Plaga e dhimbjes së familjeve të viktimave dhe e mbarë shoqërisë sonë mbetet e madhe, por drejtësia është detyrim institucional dhe moral që nuk parashkruhet.

Ne do të vazhdojmë pa u ndalur në ndjekjen e kriminelëve të luftës, derisa secili përgjegjës të japë llogari për veprat e kryera. Mbi këtë qëllim, hetimin e krimeve të luftës në kuadër të Policisë së Kosovës e kemi mbështetur pa rezervë e avancuar nga Sektori në Drejtori, duke ia dyfishuar edhe numrin e personelit.

Vetëm duke vendosur drejtësi për viktimat, forcojmë të vërtetën historike, ndërtojmë një të ardhme të bazuar në dinjitet dhe përgjegjësi dhe parandalojmë përsëritjen e historisë së dhimbshme