Kaltrina Zekolli Shaqiri: Fillon ndërtimi i autostradës Shkup–Bllacë, projekt strategjik për lidhjen me Kosovën

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka bërë të ditur se është përmbyllur me sukses procedura për përzgjedhjen e kontraktorit që do të ndërtojë autostradën Shkup–Bllacë, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend.

Sipas saj, në një takim pune të zhvilluar së bashku me ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, drejtorin e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanoski, dhe drejtorin e BERZH-it, Fatih Türkmenoğlu, u konfirmua se projektin do ta realizojë konsorciumi i udhëhequr nga kompania vendore e ndërtimit “Granit”.

“Ky është një lajm i rëndësishëm për sektorin ndërtimor dhe ekonominë e vendit”, theksoi Zekolli Shaqiri, duke vlerësuar rëndësinë e përfshirjes së kompanive vendore në projekte madhore infrastrukturore.

Ajo nënvizoi se autostrada Shkup–Bllacë paraqet një lidhje strategjike mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, e cila do të mundësojë transport më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve.

Sipas Zekolli Shaqirit, projekti pritet të ndikojë pozitivisht në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe tregtare, krijimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillimin e mëtejshëm të rajonit, duke konfirmuar përkushtimin institucional për ndërtimin e një infrastrukture moderne.

Punimet në terren pritet të nisin pas përfundimit të procedurave administrative dhe sigurimit të garancive të nevojshme.

Projekti parashikon ndërtimin e pesë tuneleve, dy galerive dhe 12 urave, ndërsa së bashku me objektet e tjera infrastrukturore do të realizohen gjithsej 40 objekte.

Zëvendësministrja vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke theksuar se mbështetja e këtij institucioni financiar vazhdon të jetë kyçe për realizimin e projekteve strategjike në vend.