CNN: Irani ka mbyllur rezervat e uraniumit dhe ka vendosur mina përreth objekteve

Irani ka intensifikuar në javët e fundit përpjekjet për të siguruar dhe mbyllur rezervat e uraniumit të pasuruar pothuajse deri në nivelin e nevojshëm për armë bërthamore.

Sipas burimeve të inteligjencës amerikane, tunele janë shembur qëllimisht dhe hyrjet janë minuar me eksplozivë, duke e bërë qasjen në material shumë më të vështirë dhe të rrezikshme.

Rreth gjysmë ton uranium i pasuruar besohet të jetë i bllokuar në këto zona, ndërsa këto masa kanë ndërlikuar edhe më shumë planet amerikane për sekuestrimin e tij, për të cilat kishte folur më parë presidenti amerikan, Donald Trump.

Këto zhvillime po e komplikojnë edhe më shumë një marrëveshje të mundshme SHBA–Iran për dorëzimin dhe shkatërrimin e materialit bërthamor, raporton cnn.

Sipas raportimeve, edhe vetë Irani do të kishte vështirësi të mëdha për të arritur te materiali pa pajisje të specializuara dhe operacione çminimi.

Një pjesë e rezervave besohet se ndodhet në komplekse të shembura në Isfahan, ndërsa pjesa tjetër në lokacione të ndryshme të sigurta.

Zyrtarët amerikanë kanë diskutuar një marrëveshje ku Irani do ta dorëzonte uraniumin për shkatërrim, por kushtet mbeten të paqarta dhe të diskutueshme.

Ekspertët paralajmërojnë se këto masa mund t’i japin Iranit mundësi të fshehë ose të bëjë të paarritshme një pjesë të materialit bërthamor.

Edhe nëse arrihet marrëveshje, procesi i nxjerrjes dhe transportimit të uraniumit do të ishte shumë kompleks dhe do të kërkonte teknologji të specializuar.

Sipas vlerësimeve, një operacion i tillë do të zgjaste të paktën disa javë dhe do të kërkonte përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë.