Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të premten se janë “të gatshëm, të vullnetshëm dhe të interesuar” për komunikim dhe bashkëpunim me subjektet opozitare për çështjen sfiduese të zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit, ju e dini që këtë duhet ta bëjmë në bashkëpunim me opozitën, për shkak të kërkesës së Kushtetueses që kërkon praninë e 80 deputetëve në votim. Jemi të gatshëm, të vullnetshëm dhe të interesuar për komunikim e bashkëpunim”, ka theksuar Kurti pas homazheve në shënim të Ditës së Çlirimit.
Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me partnerët e koalicionit, do të jetë bartëse e procesit për themelimin e ekzekutivit dhe konstituimin e legjislaturës së 11-të.
“Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Me rastin e përmbylljes së këtij procesi, ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm. Është tashmë evidente që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme dhe ne do të udhëheqim formimin e institucioneve të reja”, ka shtuar Kurti para gazetarëve në Prishtinë.
Ndryshe, rregulli kushtetues specifikon se në seancën për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, në sallë duhet të jenë së paku 80 deputetë. Në dy raundet e para kërkohen 80 vota, në të tretin presidenti mund të zgjidhet me një shumicë të thjeshtë prej 61 votash.



