E sulmoi bashkëshorten, 78-vjeçari nga Tetova në paraburgim

Një 78-vjeçar nga Tetova është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij 74-vjeçare.

Sipas informacioneve të policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 qershor 2026, rreth orës 09:00, në shtëpinë e tyre familjare. Si pasojë e sulmit, gruaja ka pësuar lëndime trupore, të cilat janë konstatuar nga mjekët në Spitalin Klinik të Tetovës.

Pas denoncimit, zyrtarët e SPB Tetovë e kanë privuar nga liria të dyshuarin në orën 16:00 dhe e kanë ndaluar në stacionin policor. Ndaj tij është ngritur kallëzim sipas nenit 130 të Kodit Penal.

Më pas, ai është paraqitur para gjyqtarit kompetent, i cili ka caktuar masën e paraburgimit prej tetë ditësh. I dyshuari është dërguar në Burgun e Shkupit për zbatimin e kësaj mase.