Zbardhet drafti i marrëveshjes SHBA-Iran

President Donald Trump speaks with reporters outside the Oval Office of the White House, Monday, April 13, 2026, in Washington. (AP Photo/Alex Brandon)

Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi marrëveshjen që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pretendon se është gati për t’u nënshkruar me Iranin.

Sipas Axios, memorandumi i mirëkuptimit mes Washington-it dhe Teheranit parashikon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit pa tarifa kalimi, si dhe një proces gradual të lehtësimit të sanksioneve ndaj Iranit në këmbim të respektimit të marrëveshjes.

Dokumenti do të zgjasë armëpushimin aktual për 60 ditë dhe do të përfshijë edhe Libanin, ndërsa gjatë kësaj periudhe palët do të zhvillojnë negociata për një marrëveshje më të detajuar mbi programin bërthamor iranian.

Një diplomat i përfshirë në procesin e ndërmjetësimit deklaroi për Axios se SHBA-të dhe Irani kanë rënë dakord për tekstin e marrëveshjes, megjithëse nevojitet ende miratimi përfundimtar politik.

Sipas burimeve, dokumenti është miratuar nga nivele të larta të udhëheqjes iraniane, por ende nuk ka marrë dritën jeshile nga Udhëheqësi Suprem, Mojtaba Khamenei.

Nga ana e tij, Trump ka deklaruar se pret që ceremonia e nënshkrimit të zhvillohet gjatë fundjavës.

Një nga elementët kryesorë të marrëveshjes lidhet me programin bërthamor të Iranit. Teherani do të angazhohej të mos zhvillojë kurrë armë bërthamore dhe të zgjidhë çështjen e rezervave të uraniumit të pasuruar.

Sipas një zyrtari amerikan, Trump ka pranuar që një nga opsionet e mundshme të jetë ulja e nivelit të pasurimit të uraniumit brenda territorit iranian, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, çdo hap konkret në programin bërthamor do të varet nga një marrëveshje e dytë, më e detajuar dhe më e vështirë për t’u negociuar.

Memorandumi parashikon gjithashtu rikthimin e menjëhershëm të trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit në nivelet para luftës brenda 30 ditëve, ndërsa SHBA-të do të heqin masat bllokuese që lidhen me lundrimin dhe eksportet energjetike.

Në këmbim, Irani do të përfitonte përjashtime të përkohshme nga sanksionet, duke i lejuar eksportimin e naftës për një periudhë fillestare prej 60 ditësh.

Lehtësimi i mëtejshëm i sanksioneve do të varet nga respektimi i marrëveshjes dhe progresi i negociatave.

Një tjetër çështje ende e pazgjidhur mbetet ajo e miliarda dollarëve iranianë të ngrirë jashtë vendit.

Teherani kërkon akses të menjëhershëm në një pjesë të fondeve pas nënshkrimit, ndërsa Washingtoni këmbëngul që lirimi i tyre të bëhet me këste dhe në bazë të respektimit të angazhimeve.

Sipas raportimit, SHBA-të, Irani dhe Katari po diskutojnë një mekanizëm që do t’i lejonte Teheranit përdorimin e një pjese të fondeve të ngrira në Katar për blerjen e mallrave humanitare.

Marrëveshja është ndërmjetësuar nga Katari dhe Pakistani dhe, nëse nënshkruhet, pritet të marrë emrin “Marrëveshja e Islamabadit”.

“Po punojmë për finalizimin e detajeve të fundit dhe përcaktimin e datës së ceremonisë së nënshkrimit”, tha një diplomat i përfshirë në negociata.