Iu bashkuan ISIS-it në Siri, GJKKO jep vendimin për grupin e ‘luftëtarëve’ shqiptarë

GJKKO shpalli vendimin për një grup të pandehurish që u gjykuan për “pjesëmarrje në organizatë terroriste” dhe “pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj”.

Gjyqtarja Irena Gjoka dënoi nga 7 deri në 10 vite burg të 14 personave te pandehurve, të cilët u deklaruan fajtorë se kanë marrë pjesë në luftën e Sirisë duke iu bashkëngjitur thirrjeve të ISIS.

I gjithë grupi i të pandehurve u gjykua në mungesë dhe mbrojtja e tyre u realizua nga avokatë kryesisht.
Të pyetur si dëshmitarë në këtë proces gjyqësor, familjaret e tyre kanë deklaruar se kanë dyshime se ata janë vrarë në dyluftimet e armatosura, të luftës për Xhihad.

Hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme dhe ish-prokuroria për krime të rënda treguan se gjatë periudhës 2013-2015, disa shtetas shqiptarë kanë udhëtuar nga Shqipëria në drejtim të Sirisë, duke iu bashkuar organizatave terroriste Al Nusra dhe ISIS.

Fillimisht në Siri kanë udhëtuar burrat të rekrutuar dhe të nisur nga Shqipëria dhe më pas atyre i janë bashkuar edhe familjet e tyre kryesisht bashkëshortet dhe fëmijët.

Nga grumbullimi i provave dhe materialeve të shumta , SPAK arriti në konkluzionin se një pjesë e te pandehurve kanë kryer veprime luftarake në mbështetje të organizatës terroriste, ata kanë qenë luftëtar dhe kanë përfituar pagesa te ndryshme.
© SYRI.net