Miratimi i ndryshimeve kushtetuese është hapi i parë i domosdoshëm për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, porositi euroambasadori Mihalis Rokas gjatë vizitës në Shtip. Duke iu përgjigjur pyetjes nëse non-paperi franko-gjerman mundëson fillimin e negociatave pa ndryshimin e Kushtetutës, ai sqaroi se dokumenti në fakt i forcon hapat e dakorduar tashmë, transmeton Portalb.mk.
“Natyrisht, me miratimin e amendamenteve kushtetuese, vetë korniza negociuese që u dakordua në vitin 2022, pikërisht këtë e thotë. Më pas, si hap i radhës, vjen konferenca ndërqeveritare, pas së cilës pason fillimi i negociatave zyrtare, kështu që unë jam vërtet i bindur se Republika e Maqedonisë së Veriut do të mund të përparojë shumë shpejt në rrugën e saj eurointegruese dhe në varësi të zbatimit të reformave të kërkuara si pjesë e agjendës”, thotë Rokas.
Euroambasadori shtoi se ky non-paper, i propozuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, i përshkruan qartë të gjithë hapat dhe me këtë vetëm e forcon integrimin. Si mesazh kyç nga samiti në Tivat ai theksoi urgjencën e procesit të zgjerimit.
“Megjithatë, nga ajo që mund të shohim të gjithë, është e qartë se bëhet fjalë për një dokument që i përshkruan të gjithë hapat. Kështu që e gjithë kjo tregon se me këtë vetëm forcohet procesi i integrimit, sepse për të negociuar për diçka, fillimisht duhet të hapni kapituj, të negocioni dhe më pas t’i mbyllni ato. Mendoj se mesazhi më i madh që doli nga samiti në Tivat është se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian është i gjallë, është dinamik dhe është urgjent dhe se vendet kandidate nuk duhet ta humbasin këtë mundësi për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian”, deklaroi Rokas.
Lidhur me reformat e zbatuara nga Qeveria, Rokas vëren një përshpejtim të fortë. Ai përcolli se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e kishte informuar se deri në fund të qershorit do të bëhet përpjekje për miratimin e ligjeve të nevojshme, por theksoi se vlerësimin përfundimtar e jep Komisioni Evropian.
“Megjithatë, siç ju është e njohur tashmë, afati për zbatimin e reformave po skadon. Ne jemi në kontakt të rregullt me Kuvendin, por nuk mund të parashikojmë saktësisht se kur do të përfundojnë me realizimin e këtyre reformave. Megjithatë, ky është një proces për të cilin në fund Komisioni Evropian duhet të bëjë vlerësimin, për të parë deri në çfarë mase janë realizuar këto reforma. Megjithatë, unë jam i bindur se do të ketë rezultate të mira të ofruara nga vetë vendi, sepse ekziston bashkëpunim i fortë nga përfaqësuesit në Bruksel, ne këtu si përfaqësues të Bashkimit Evropian, Qeveria, ministritë, të gjithë me qëllim që këto reforma të realizohen”, deklaroi Rokas.
I pyetur se kur pret të ndodhin ndryshimet kushtetuese, euroambasadori theksoi se kjo është një vendim thjesht politik i partive vendore në Kuvend.
“Kur të vendoset të ecet përpara, natyrisht që më pas është paraparë procedura e rregullt, e cila gjithashtu duhet të zhvillohet në Kuvend, kështu që kur Qeveria dhe forcat politike të vlerësojnë se është momenti i duhur, atëherë mund të bëhet hapi i fundit për të ecur përpara”, tha Rokas.
Lidhur me planin e veprimit për pakicat dhe qëndrimin e Bullgarisë, Rokas shprehu kënaqësi për konsultimet publike të deritanishme dhe përfshirjen e sektorit civil, duke kujtuar se ky dokument, së bashku me udhërrëfyesin për sundimin e ligjit, janë parakushte për hapjen e klasterit të parë.
“Natyrisht që kjo më tej i nënshtrohet vlerësimit që do të bëhet nga Komisioni Evropian. Megjithatë, nuk ka asnjë dyshim se jemi në rrugë të mirë drejt një plani të mirë veprimi për pakicat dhe, sigurisht, siç ju është e njohur tashmë, para hapjes së klasterëve për vlerat themelore, parakushte janë udhërrëfyesi për sundimin e ligjit, si dhe plani i veprimit për pakicat. Këto dy dokumente më pas i dërgohen Komisionit Evropian për vlerësim. Natyrisht që ekziston hapësirë për përmirësim të mëtejshëm të tekstit të të dy dokumenteve, por mendoj se për momentin ky është një proces në vazhdim dhe deri tani ne jemi të kënaqur me mënyrën se si po ecin gjërat, me konsultimet publike, ku pjesë ishin edhe organizatat qytetare, organizatat joqeveritare dhe pjesëmarrës të tjerë që punojnë në këtë fushë, në mënyrë që të mund të paraqesin ndryshimet ose amendamentet e tyre”, deklaroi Rokas.
Duke folur për segmentet ku vendi shënon rezultate të shkëlqyera, euroambasadori e lavdëroi harmonizimin me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes të BE-së, duke theksuar se momentumi për përparim është tani, sipas shembullit të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Gjithashtu, mund ta lavdëroj vendin për sa i përket harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë, dhe këtu mendoj edhe për politikën në fushën e mbrojtjes. Vërtet kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Republikën e Maqedonisë së Veriut, kështu që në këtë kontekst kemi bashkëpunim të ngushtë. Prandaj, sapo krijohet momentumi, sapo njerëzit ose udhëheqësit janë pragmatikë, sapo ekziston bashkimi, pra uniteti, vetë vendi është i vendosur për ta bërë atë hap të fundit drejt fillimit të negociatave, për të cilin unë nuk kam asnjë dyshim se momenti, vetë momentumi është këtu për fillimin e negociatave. Dhe unë kam besimin se ky momentum është tani, por gjithashtu kërkon përfundimin e vetë reformave, në mënyrë që të mund të ndihen përfitimet reale nga fillimi i negociatave me Bashkimin Evropian, por edhe nga anëtarësimi përfundimtar. Mendoj se si shembull për këtë mund të shohim Republikën e Shqipërisë dhe Malin e Zi, të cilat po përparojnë me shpejtësi në atë rrugë dhe po i shohin përfitimet nga fillimi i negociatave me BE-në”, thotë Rokas.
I pyetur për qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski lidhur me kushtet për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, Rokas u përgjigj prerazi se në politikë detyrimet e marra duhet të realizohen, duke shtuar se BE-ja është e gatshme të ndihmojë, por vendimi kyç është në Shkup.
“Në fakt, ajo që është më e rëndësishme të theksohet është se pjesë e acquis-it, pra e së drejtës së Bashkimit Evropian, si pjesë kryesore janë edhe marrëdhëniet e mira fqinjësore. Jetojmë në kohë kritike, vërtet, dhe ajo që u dakordua para katër vitesh, pra në vitin 2022, mendoj se është e rëndësishme tani të gjendet një mënyrë për të ecur përpara. Mendoj se edhe liderët e Bashkimit Evropian, të cilët pata nderin t’i pres këtu, por edhe në Bruksel dhe në Tivat gjatë samitit, treguan mbështetje dhe solidaritet të pakushtëzuar ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kështu që mendoj se megjithatë ky është një vendim që vetë vendi duhet ta marrë. E rëndësishme është mbështetja e Bashkimit Evropian. Ne jemi të gatshëm ta lehtësojmë këtë proces, por duhet një hap vendimtar nga autoritetet në vendin tuaj që të realizohet ajo që u dakordua në vitin 2022”, nënvizoi Rokas.
Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis – Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.
Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.
Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan një Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.



