Vllasi: Koalicioni LVV-LDK do ta nxirrte Kosovën nga kriza

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi, ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për Kosovën pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit është formimi i një qeverie koalicioni.Sipas tij, koalicioni më i përshtatshëm do të ishte ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), i mbështetur edhe nga deputetët e komuniteteve joserbe.
“Nuk janë me rëndësi vetëm rezultatet, por është me rëndësi nëse partitë që kanë hyrë në Parlament do të arrijnë të gjejnë një marrëveshje dhe ta nxjerrin vendin nga kjo situatë. Gjithsesi, një qeveri koalicioni është e domosdoshme, sepse ndryshe nuk ka mundësi. Mendoj se zgjidhja më e mirë do të ishte një koalicion mes Vetëvendosjes dhe LDK-së. Me 48 deputetë të LVV-së dhe 20 të LDK-së bëhen 68, ndërsa me tetë deputetë nga pakicat joserbe numri kalon mbi 70 dhe kështu dilet nga kriza”, ka deklaruar VllasiMegjithatë, ai ka paralajmëruar se çështja e presidentit mund të krijojë tensione edhe në rast të një marrëveshjeje për qeverinë.

“LDK-ja e ka pasur kandidate për presidente Vjosa Osmanin dhe me gjasë do të insistojë në kandidaturën e saj. Nga ana tjetër, LVV-ja dhe Albin Kurti e kanë kundërshtuar atë në të kaluarën. Prandaj ekziston rreziku që, edhe nëse formohet një qeveri koalicioni, mosmarrëveshjet rreth presidentit ta rikthejnë krizën politike”, ka thënë ai.Vllasi ka vlerësuar se skena politike duket e orientuar drejt zgjedhjeve të reja, duke shtuar se kjo po i shkakton dëme vendit.
“Po krijohet përshtypja sikur gjithçka është rregulluar në mënyrë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje. Kosova po dëmtohet nga kjo situatë dhe qytetarët kanë të drejtë të pyesin nëse këto veprime bëhen për interesa politike apo për shkak të etjes për pushtet”, është shprehur ai.I pyetur nëse kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mund të ndryshojë qëndrim dhe ta mbështesë Osmanin për presidente, Vllasi ka thënë se kjo do të ishte zgjidhje e arsyeshme, por do të hapte pyetjen se përse vendi u dërgua në zgjedhje nëse një marrëveshje e tillë ishte e mundur.
“Do të ishte dashur të arrihej një dakordim që kandidatja e LDK-së, Vjosa Osmani, të zgjidhej presidente. Por pastaj shtrohet pyetja pse Kosova u soll në këtë situatë. Kush e njeh Kurtin e di se ai preferon të qeverisë i vetëm dhe koalicionin e sheh si ndarje të pushtetit. Po ashtu, ai dëshiron një president që nuk sfidon autoritetin e tij politik”, ka thënë Vllasi.Në fund, ai u ka bërë thirrje partive politike të tregojnë përgjegjësi shtetërore dhe të arrijnë kompromis.
“Duhet ta lënë anash kokëfortësinë dhe të tregohen të përgjegjshëm ndaj shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Duhet të bëjnë kompromis për interesin e vendit, të formojnë një qeveri koalicioni, të zgjedhin presidentin dhe ta çojnë Kosovën përpara”, ka përfunduar ai./teve1