Në një tentativë për të futur një entuziazëm të ri në përpjekjet për afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, në Samitin e Tivatit në Mal të Zi kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron zbuluan një “non-paper” që premton një dinamikë të re në procesin e zgjerimit. Dokumenti me sa duket bazohet në njoftimet e mëparshme për një lloj anëtarësimi të asociuar, gjegjësisht një përmirësim të politikës ekzistuese të “karrotës dhe shkopit”, gjë që e bën gjithnjë e më të qartë se disa nga kandidatët do të marrin një karrotë më të madhe, ndërsa disa të tjerë një shkop më të madh, shkruan Meta.mk, njofton Portalb.mk.
Sipas njoftimeve nga Tivati, Macron dhe Merz, me mbështetjen e kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe udhëheqësve të tjerë evropianë, po ofrojnë një proces të “integrimit gradual” përmes “elementeve ndërtuese” që përfshijnë pjesëmarrje në takime të përbashkëta të përfaqësuesve të vendeve kandidate si vëzhgues, bashkëpunim në fushën e sigurisë, bashkëpunim me Agjencinë Evropiane të Rojes Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, pastaj me Agjencinë e BE-së për Sigurinë Kibernetike, pjesëmarrje në programet e BE-së si Europa Kreative, Europa Digjitale, Erasmus +, si dhe qasje në instrumentet evropiane, siç është ai për asistencë teknike, Twinning dhe Taiex. Pastaj, për vendet e Ballkanit që ende nuk janë anëtare, por të paktën deklarativisht duan të jenë, ofrohet integrim sektorial në Tregun e Përbashkët të BE-së përmes anëtarësimit në Zonën e Përbashkët të Pagesave në Euro – SEPA, pastaj roaming falas, ose ndryshe i njohur si Roaming si në shtëpi, komunitetin e transportit, tregun energjetik, korridoret e gjelbra, tregun digjital, zvogëlimin e barrierave tregtare, etj.
Deklaratat e Merz, Macron dhe Von der Leyen nga Samiti tregojnë se Unioni e konsideron këtë si një provë që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë lënë vetëm dhe se integrimi i tyre në BE nuk do të zgjasë përgjithmonë, siç dëshiron dikush ta paraqesë.
“Fakti që nuk kemi pranuar anëtarë të rinj plot 13 vjet tregon se mangësi ka edhe nga ana e Bashkimit Evropian dhe kjo është ajo që dëshirojmë ta tejkalojmë sot”, tha Merz para fillimit të Samitit.
“Për ne zgjerimi është një imperativ gjeostrategjik, si dhe një investim afatgjatë në paqe, stabilitet dhe siguri”, tha Von der Leyen, duke shtuar se procesi i anëtarësimit duhet “të bëhet më dinamik”.
Çfarë ndërtojnë elementet ndërtuese
Disa nga mediat në Maqedoni publikuan përkthim në gjuhën maqedonase të përmbajtjes së dokumentit jo-zyrtar “non-paper”, të titulluar “Momentum i ri për zgjerimin”, që fillon me një fjali të shkurtër por të fuqishme se qëllimi i Gjermanisë dhe Francës, dy anëtarëve më të fuqishëm të klubit elitar, është që ta përfundojnë Unionin si një “union i vërtetë evropian”, që në interpretim të lirë do të nënkuptonte që të gjitha shtetet e kontinentit të bëhen anëtare.
Siç thuhet në vazhdim, që kjo gjë të ndodhë vërtet BE-ja duhet të sigurojë “nxitje shtesë si pjesë të një procesi të integrimit gradual të bazuar në merita“, si dhe ta thjeshtojë “procesin aktual që të bëhet më efikas dhe të mundësojë integrim më të shpejtë dhe më të thellë në BE mbi bazë të kritereve të Kopenhagës“.
Edhe pse non-paper-i thekson se qëllimi nuk është të zëvendësohet anëtarësimi i plotë apo të zgjatet procesi i anëtarësimit, por përkundrazi, të krijohet një nxitje që do ta përshpejtojë përparimin e vendeve kandidate, vetë parakushtet për të ashtuquajturat elemente ndërtuese kërkojnë një lexim mjaft të kujdesshëm.
Kështu, për shembull, që të marrin pjesë në rendin e ditës të Këshillit të BE-së si vëzhgues pa të drejtë vote kandidatët do të duhet t’i mbyllin kapitujt përkatës nga procesi i anëtarësimit, ngjashëm si për të marrë pjesë si vëzhgues pa të drejtë vote në rendin e ditës të takimeve të Këshillit për punë të jashtme të BE-së ku kandidatët duhet ta plotësojnë kushtin për “mbylljen e përkohshme të Kapitullit 31 (Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes e përbashkët)“. Plotësimi i kritereve të këtij kapitulli (Politika e përbashkët e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes) është parakusht edhe për bashkëpunim të intensifikuar me Frontex-in, integrimin në Agjencinë Evropiane të Sigurisë Kibenretike dhe në sistemin për paralajmërim të hershëm për sulme kibernetike.
Kapitulli 31, ndër të tjera, ndoshta më së shumti i referohet harmonizimit me politikën e jashtme të BE-së ndaj Rusisë si kërcënimi më i madh për stabilitetin e saj dhe bashkimit me sanksionet ndaj regjimit në Kremlin.
Sa i përket asaj që duket më tërheqëse në këtë non-paper për qytetarët e Maqedonisë, gjegjësisht fillimisht integrimi sektorial e më pas edhe ai i plotë në Tregun e Përbashkët të BE-së, që nënkupton roaming falas, transport më të thjeshtësuar të mallrave, korridore të gjelbra, treg digjital, thuhet se parakusht është “plotësimi i standardeve dhe kërkesave përkatëse dhe/ose mbyllja e përkohshme e kapitujve përkatës negociues“, e pastaj edhe “miratimi dhe zbatimi i të drejtës evropiane (acquis) nga klasterët negociues 1-5 dhe mbyllja e përkohshme e kapitujve negociues relevant“.
Sa për sqarim lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet Maqedonia, procesi i bisedimeve përfshin gjithsej 6 klasterë, nga të cilët vetëm i pari, “Vlerat Fundamentale“ e përfshin gjyqësorin, të drejtat themelore të njeriut, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, por edhe prokurimet publike, statistikën dhe kontrollin financiar. Ky është klasteri që hapet i pari dhe mbyllet i fundit, kështu që për integrim të plotë në Tregun e Përbashkët thjesht do të duhet t’i përfundojmë bisedimet, e pastaj, përderisa presim që parlamentet e vendeve anëtare ta ratifikojnë anëtarësimin tonë, ne tashmë të jemi pjesë e tregut evropian.
Katër klasterët e tjerë, ndonëse është e panevojshme të përmenden, janë: Tregu i brendshëm (lëvizja e mallrave, punëtorëve, kapitalit dhe shërbimeve, shoqëritë tregtare, pronësia intelektuale, konkurrenca, shërbimet financiare dhe mbrojtja e konsumatorëve); Konkurrueshmëria dhe rritja inkluzive (Shoqëria informatike dhe mediat, tatimet, politika ekonomike dhe monetare, politika sociale dhe punësimi, shkenca, arsimi, kultura, doganat); Agjenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme (politika e transportit, energjetika, rrjetet transevropiane, mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike); dhe Burimet, bujqësia dhe kohezioni (Bujqësia dhe zhvillimi rural, siguria e ushqimit, politika veterinare dhe fitosanitare, peshkataria, politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore, dispozitat financiare dhe buxhetore). Klasteri i gjashtë dhe i fundit është Marrëdhëniet e jashtme, pjesë e të cilit është kapitulli 31, Politika e jashtme dhe e sigurisë, mbyllja e të cilit, siç u përmend më lartë, është parakusht për pjesëmarrje në takime pa të drejtë vote.
Mbetet fakti se që Maqedonia të arrijë deri atje fillimisht duhet t’i fillojë edhe formalisht bisedimet, gjegjësisht ta hapë klasterin e parë. Për hir të së vërtetës, shteti formalisht është i harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë, tashmë është pjesë e SEPA, procesi për roaming falas ka filluar por po shtyhet, kemi marrëveshje me Frontex-in, ndërsa edhe pjesëmarrja në programe dhe iniciativa si Evropa Kreative dhe Erasmus+ tashmë është aktive, edhe pse ndoshta jo në nivel të kënaqshëm.
Sinjalet për Costan
Si pjesë e turneut të tij ballkanik disa ditë para Samitit në Tivat në Shkup erdhi kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili edhe një herë theksoi se ndryshimet kushtetuese dhe përfshirja e bullgarëve në preambulën e Kushtetutës janë kushti i vetëm për hapjen e kapitujve. “Asgjë më pak, asgjë më shumë“, tha Costa në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe shtoi se Mali i Zi dëshiron t’i përfundojë bisedimet deri në fund të këtij viti, ndërsa Shqipëria deri në fund të vitit të ardhshëm 2027. Duke pasur parasysh se Shqipëria e hapi edhe klasterin e fundit të kapitujve në bisedimet me BE-në, ndërsa marrëveshja për anëtarësimin e Malit të Zi tashmë po përgatitet pasi shteti i vogël ballkanik është më së afërmi këtij qëllimi, duket se përfitimet nga momentumi i ri i Merz dhe Macron do të jenë më të mëdha pikërisht për këto dy vende.
Nga ana tjetër, në ditët para dhe gjatë vizitës së Costas, përfaqësuesit e pushtetit në Maqedoni dërguan sinjale të shumta drejtuar opinionit publik, si në vend ashtu edhe atij të vendeve fqinje, të cilat ishin mjaft kritike ndaj politikës për zgjerim të BE-së. Një sinjal i tillë erdhi nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, e cila ditën kur Costa ishte në Shkup shkoi për vizitë zyrtare në Sllovaki, ku në bisedimet me kolegun e saj Peter Pellegrini bisedoi për „eurointegrimin tonë maratonik dhe mbështetjen sllovake në proces“. Pas ndryshimit të pushtetit në Hungari dhe humbjes katastrofale të Viktor Orbán, Sllovakia është shteti anëtar i BE-së që manifeston simpati më të mëdha ndaj Rusisë.
Një ditë më parë, zëvendëskryeministri dhe ministër i transportit, Aleksandar Nikolloski, gjatë pjesëmarrjes në një podcast tha se ne jemi më me përvojë dhe jemi mësuar të na gënjejnë.
“Ata e kanë për herë të parë apo të dytë që i gënjejnë, për ne do të jetë hera e njëzetë dhe këtu nuk ka ndonjë ndryshim tjetër në qasje. Është e pandershme të gënjehen njerëzit, ndërsa ajo që po ndodh është një përpjekje për t’i gënjyer njerëzit në të gjithë rajonin“, tha Nikolloski.
Sipas tij, sa i përket zgjerimit, situata është e qartë, ai është ndërprerë në vitin 2013 dhe shanset për të vazhduar janë vetëm teorike. “Jo për shkakun tonë, por për shkak të situatave të brendshme në BE“, shtoi ai.
Pas zbulimit të momentumit të ri në Tivat kryeministri i Maqedonisë u tërhoq nga ky qëndrim duke deklaruar se procesi i zgjerimit, megjithatë, është i gjallë. Ai është shumë i kënaqur nga bisedimet me Merz, Macron dhe Von der Leyen. “Jam shumë i kënaqur nga ajo që biseduam“, tha Mickoski, duke përsëritur se bisedimet ishin vërtet jashtëzakonisht të mira.
Nëse kjo lloj kënaqësie do të jetë e ndërsjellë edhe për qytetarët e Maqedonisë do të bëhet e ditur pasi Komisioni Evropian ta shndërrojë non-paper-in në hapa realë.
Rreth karrotës dhe shkopit
Përndryshe, nuk është hera e parë që vendet anëtare të BE-së të publikojnë non-paper-a të cilët, të paktën në letër, prezantojnë ndryshime drastike në procesin e zgjerimit. Kështu, për shembull, ishte pikërisht Franca ajo që nga fundi i vitit 2019 dorëzoi në BE një non-paper të ngjashëm për zgjerimin. Kjo ndodhi një muaj pasi pikërisht Macron e stopoi progresin e Maqedonisë dhe Shqipërisë në Samitin e BE-së në Bruksel më 18 tetor të vitit 2019.
“Ndaj të njëjtin vizion gjeopolitik dhe strategjik me kancelaren gjermane. Dua t’u dërgoj një sinjal pozitiv këtyre liderëve, por shikuar seriozisht, tani unë duhet t’u them atyre: kësaj radhe na nevojitet pak më shumë kohë për t’i rregulluar gjërat“, tha Macron në një konferencë të përbashkët për shtyp me kancelaren e atëhershme gjermane Angela Merkel, një ditë më parë pas takimit të përbashkët në Tuluz.
Ky non-paper francez kërkonte vendosjen e të ashtuquajturit reverzibilitet në bisedime, gjegjësisht që procesi të mund të kthehet prapa nëse shteti kandidat nuk shënon përparim me reformat. Por, krahas reverzibilitetit, përmbajtja me duket se është shumë e ngjashme me non-paper-in e ri, gjegjësisht i referohet “anëtarësimit gradual, kushteve më rigoroze dhe përfitimit të dukshëm“.
Një muaj më vonë, kah mesi i dhjetorit të vitit 2019, nëntë vende anëtare (Austria, Çekia, Estonia, Italia, Letonia, Lituania, Malta, Polonia dhe Sllovenia) dorëzuan edhe një non-paper tjetër si kontributin e tyre në metodologjinë e re për zgjerim. Në këtë dokument, sipas publikimit të REL, përmenden samite vjetore BE-Ballkani Perëndimor si dhe një pjesëmarrje më e madhe e përfaqësuesve të rajonit në takimet joformale të Këshillit Evropian (Samiti i BE-së). Fokusi kryesor sërish është sundimi i ligjit.
Metodologjia “e re“, të cilën Komisioni e hartoi me kërkesë të Francës, u promovua disa muaj më vonë, ndërsa në shkurt të vitit 2020 u prezantua edhe para Këshillit Nacional për Eurointegrime në Kuvendin e Maqedonisë.
Nëse non-paper-i i vitit 2019 definitivisht nënkuptonte rampë të lëshuar për hyrjen e anëtarëve të rinj në BE, ky i riu, i cili pak a shumë i referohet të njëjtave gjëra, ka kuptim të ndryshëm për kandidatë të ndryshëm. Sipas të gjitha gjasave, shtysë më të fuqishme do të marrin ata që kanë shkuar më përpara në bisedime, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Ndërsa atje ku procesi ka ngecur, si në Maqedoni dhe Serbi, elementet ndërtuese të momentumit mund të ngrenë një pengesë edhe më të madhe në rrugën drejt realizimit të ëndrrës, e cila ngadalë, por sigurt po shndërrohet në një makth.



