“Mos e prek gjakun e lirisë: Pankarta te shtabi i VV-së në Shkup

Një seri pankartash me mesazhe politike dhe kombëtare janë vendosur para shtabit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shkup, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kalimtarëve.

Në fotografitë e siguruara nga TetovaSot, në hyrjen e objektit shihen pankarta me mbishkrime si: “Mos e shkel gjakun e lirisë”, “Liria nuk shitet”, “Ata ranë, ju përçani?”, “Pushteti kalon, dëmi mbetet” dhe “Amaneti tradhtohet?”.

Mesazhet shoqërohen edhe me thirrje të tjera si “Mos luani me gjakun”, “Mos përçani kombin”, “Kujt i shërbeni?” dhe “Shqiptarët nuk ndahen”, duke lënë të kuptohet se bëhet fjalë për një reagim ndaj zhvillimeve dhe përçarjeve politike në kampin shqiptar.

Sipas raportimeve të TetovaSot nga vendi i ngjarjes, pankartat janë vendosur gjatë ditës së sotme dhe kanë ngjallur reagime të ndryshme në opinion. Deri në këto momente nuk ka një sqarim zyrtar se kush qëndron pas vendosjes së tyre.

TetovaSot mëson se mesazhet janë fokusuar kryesisht te uniteti kombëtar, ruajtja e idealeve të luftës dhe kritikat ndaj përçarjeve politike, duke e shndërruar hyrjen e shtabit në një hapësirë simbolike proteste.

Ndërkohë, mbetet të shihet nëse do të ketë reagim nga përfaqësuesit e VV-së në Shkup lidhur me këto pankarta dhe mesazhet e shfaqura para selisë së tyre. /TetovaSot/