Sot, duke filluar nga ora 14:00, para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, u mbajt protestë në mbështetje të studentëve shqiptarë dhe kërkesave të tyre për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Protesta mbahet nën moton: “Gjuha shqipe është e drejtë, jo privilegj”, transmeton Portalb.mk.
Organizatorët bënë thirrje për pjesëmarrje qytetare, duke theksuar se mbrojtja e gjuhës shqipe është një çështje e të drejtave themelore dhe e respektimit të barazisë kushtetuese. Sipas tyre, protesta synon të shprehë solidaritet me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët prej javësh po kërkojnë garantimin dhe zbatimin e plotë të të drejtave gjuhësore.
Mevlan Ademi tha se pret nga Kosova që të rrisë presionin ndaj Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ashtu sikurse ka pasur reagime nga Tirana zyrtare.
“Prishtina zyrtare dhe kryeministri Albin Kurti duhet të reflektojnë dhe të rritin presionin ndaj Qeverisë së Mickoskit për respektimin e gjuhës shqipe. Fundja, vet zoti Kurti vjen nga protestat e dikurshme të studentëve dhe ai e di mirë se çfarë janë kërkesat e studentëve”, tha Mevlan Ademi pas protestës së sotme të studentëve të Kosovës para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
Paraprakisht në Facebook ai e përshëndeti protestën.
“Edhe vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë dolën në mbështetje të protestave studentore për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Si Tirana, ashtu edhe Prishtina dëshmuan se gjuha na bashkon edhe kur kufijtë na ndajnë”, shkroi Mevlan Ademi në Facebook.
Kjo protestë vjen në vazhdën e mobilizimeve dhe reagimeve të studentëve shqiptarë në Tiranë, të cilët kanë ngritur zërin kundër çdo kufizimi të përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe proceset profesionale.
Pjesëmarrësit pritet të përcjellin mesazhin se gjuha shqipe nuk duhet të trajtohet si privilegj, por si një e drejtë themelore e garantuar për qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Kujtojmë se në protestën e 18 majit, studentët marshuan me pankarta në duar dhe brohoritje për barazi gjuhësore, ndërsa një pjesë e tyre deklaruan se nuk do të ndalen derisa të sigurohet e drejta për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Kjo ishte hera e dytë që studentët protestuan në Shkup, kurse pas këtyre protestave, pushtetarët e VLEN-it filluan të premtojnë zgjidhje, por pa caktuar afate.
Çështja e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe për të cilën Portalb.mk alarmoi që në nëntor 2024, bëri bujë nga janari i këtij viti, pasi rreth 400 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkuan nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj.



