Mali i Zi ua ka ndaluar hyrjen 87 serbëve të mërkurën, pasi i ka vlerësuar si kërcënim për sigurinë para samitit të Bashkimit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Ata kishin arritur në qytetin e Tivatit nga Serbia dhe policia ka kontrolluar ata që ishin në aeroplanin Air Serbia si pjesë të kontrolleve të sigurisë para samitit të së premtes. Më pas i ka kthyer mbrapsht nga aeroporti ku kishin zbritur.
“Si pjesë e aktiviteteve që kanë synim mbajtjen e një mjedisi të sigurt, shërbimet e sigurisë kanë identifikuar persona me interes për sigurinë”, ka deklaruar policia malazeze.
Agjencitë e sigurisë “kanë mbledhur të dhëna që tregojnë pa dyshim se prania në Mal të Zi e individëve në fjalë do të përbënte rrezik për sigurinë e brenshme dhe kombëtare”, thuhet tutje.
Personat kishin pajisje komunikimi dhe banderola me mbishkrimin “Serbia fiton”, i cili ishte slogani i fushatës së presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Vuçiqi po ashtu pritet të jetë pjesë e samitit të Tivat.
Mediat raportuan se burrat përfshinin disa aktivistë të njohur pro-qeveritarë të akuzuar për sulm ndaj studentëve protestues kundër Vuçiqit.
Policia malazeze ka thënë se disa prej burrave kanë të kaluar kriminale dhe se kishin marrë pjesë në “një numër tubimesh publike me rrezik të lartë”.



