Bashkim Hasani i përgjigjet Bujar Osmanit: Nuk kemi vetëm portier, por portier sulmues

Deklaratat e nënkryetarit të Bujar Osmani në emisionin “Dialog te LAJM’i”, ku ai kritikoi koalicionin VLEN duke thënë se “për herë të parë në golin tonë, në portën tonë nuk ka portier”, kanë nxitur reagimin e përfaqësuesit të VLEN-it, Bashkim Hasani, përcjell tetova1

Gjatë intervistës, Osmani deklaroi se nuk pret simpati nga VMRO-DPMNE-ja ndaj shqiptarëve, por se shqetësimi i tij kryesor, sipas tij, është “inferioriteti i VLEN-it” dhe gatishmëria e këtij koalicioni për të kënaqur partnerin qeveritar.

Duke përdorur metaforën e futbollit, Osmani tha se dikur kishte “portier në gol” që mbronte interesat shqiptare, ndërsa sot, sipas tij, mungon një mbrojtje e tillë.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Hasani, i cili përmes një komenti publik ka ironizuar qëndrimin e Osmanit dhe të BDI-së.

“Portieri juaj vetëm për autogola!

E para, ju paralajmëruam mos i jepni autogola portierit tuaj. Nuk dëgjuat. Vazhdut me i dhënë, madje ato gola që i konvenonin më së shumti vetë portierit.

E dyta, ne nuk kemi thjesht portier, kemi portier sulmues që na thotë qartë, topi nuk shkon mbrapa, por drejt te porta e kundërshtarit”, ka shkruar Hasani.

Reagimi i tij vjen në një kohë kur përplasjet politike mes BDI-së dhe VLEN-it po intensifikohen, me të dyja palët që po përdorin gjuhë simbolike dhe krahasime sportive për të përshkruar rolin e tyre në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në vend./tetova1.mk