Zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani, ka njoftuar se është përmbyllur procesi i sistemimit të anëtarëve të Ansamblit, duke e cilësuar këtë si një nga zotimet më të rëndësishme të realizuara gjatë mandatit të tij.
Përmes një postimi publik, Sulejmani theksoi se takimi i tij i parë pas marrjes së detyrës ishte pikërisht me anëtarët e Ansamblit, të cilët kishin mbetur pa punë pas ndërprerjes së kontratave nga drejtuesit e mëparshëm.
Ai bëri të ditur se procesi i rikthimit dhe sistemimit të artistëve është zhvilluar në disa faza për shkak të procedurave administrative dhe teknike, ndërsa sot është përmbyllur faza e tretë dhe e fundit me nënshkrimin e pesë vendimeve të fundit të punësimit.
“Sot e kompletuam Ansamblin me gjithsej 45 vendime pune”, ka shkruar Sulejmani, duke vlerësuar se ky është një moment i rëndësishëm për artistët dhe për kulturën shqiptare në vend.
Sipas tij, investimi në institucionet kulturore është investim në identitetin, traditën dhe dinjitetin kombëtar, ndërsa ka premtuar se mbështetja për sektorin e kulturës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Zëvendësministri bëri të ditur se gjatë mandatit të tij, përveç 45 punësimeve në Ansambël, në institucionet kulturore janë realizuar edhe mbi 80 punësime të tjera.
“Pas një viti e gjysmë në detyrë, ndihem krenar që kemi arritur të kthejmë dinjitetin e shumë artistëve dhe punonjësve të kulturës”, ka theksuar Sulejmani.





