“Zvërneci”, Rama: Nuk ka shans të ndalojë për sa kohë unë jam këtu. Mirëpres hetimet e SPAK

Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk ka asnjë mundësi që Investimi në zonën e Zvërnecit të ndalojë për sa kohë ai do të mbajë detyrën e kreut të qeverisë.

“Nuk ka asnjë shans që investimi të ndalojë sa kohë unë do jem këtu. Jam tërësisht i hapur për të diskutuar me këdo që ka pretendime. Por mbi të gjitha duhet të sqarojnë se për çfarë janë pretendimet”, tha Rama në një konferencë për mediat pas takimit me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.

Ai tha se mirëpret hetimin e SPAK për çështjen e pronësisë në zonën ku është parashikuar investimi, por kjo nuk duhet të pengojë ecurinë e tij. “Kjo e SPAK ka dy pjesë. Ka pjesën pozitive që i takon SPAK. Ka pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetëofruar të SPAK.

Pjesa pozitive është pjesa e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Për sa kohë ky është një problem i ngritur me të drejtë apo pa të drejtë, këtë nuk e dimë, por i ngritur, dhe pastaj i shumëpërfolur, aq më tepër për sa kohë kjo përfolje lidhet me një hetim të nisur për sa i takon subjektit, është shumë pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone. Është e mirëseardhur dhe unë e nxis këtë hetim”, tha Rama.

“Nga ana tjetër, pjesa e shëmtuar është ajo e zëdhënësve të vetëofruar, të cilët ndajnë me opinionin publik gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha. Pasi investitorët, të cilët sot janë zotëruesit e pronës, bazuar në legjislacionin shqiptar, duke ndjekur të gjitha procedurat, janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare të të cilëve për të përcjellë pagesën te zotëruesit e pronës, janë investuar edhe nga agjencia jonë e pastrimit të parave, një agjenci që vepron në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë rezultuar totalisht legale dhe të ardhura nga institucione financiare me reputacion global. Kështu që kjo çështje, siç është me dy pamje duhet ndarë në dy pjesë”.

“Investitorët janë tërësisht në të drejtën e tyre, bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është tërësisht arbitrar dhe negativ. Ndërkohë që bllokimi i parave te llogaritë e pronarit për të cilin ka dyshime, është çështje e drejtë e organit hetimor. Investimi vazhdon me pronarët e drejtë dhe të ligjshëm. Dhe në rast se hetimi nxjerr tjetër origjinë prone, ata që kanë të drejtën fare mirë mund të marrin ata para, atëherë të gjithë janë të lumtur, përveç palës që ka mashtruar. Investitorët janë njerëz me reputacion dhe mbi të gjitha, njëri prej tyre, është njeri që për arsye krejt të tjera shikohet nga gjysma e mediave në vendin e tij dhe vendet e tjera si armik i palës tjetër. Është shumë e rëndësishme që ne të jemi mikpritës, të jemi të drejtë dhe të mos marrim damkën që i presim investitorët me këmbët e para”, shtoi ai. (A2 Televizion)