Pas protestave dhe pas sqarimeve të një dite më parë që kryeministri bëri për Zvërnecin, sot Edi Rama ka sjellë në vëmendje modelin e zhvillimit turistik të Costa Navarino-s në Greqi. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shprehet se projektet e mëdha fillimisht përballen me skepticizëm kundërshti, debate e protesta, por më pas mund të shndërrohen në histori suksesi.
Sipas Ramës, para ndërtimit të Costa Navarinos në rajonin e Messinia-s në vendin fqinj, kishte paralajmërime për katastrofë mjedisore, zhdukje të biodiversitetit, të shoqëruara me peticione, protesta dhe debate, por sot sipas tij zona është kthyer në një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës.
“U tha se po vinte fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra.U tha se do të zhdukej biodiversiteti. U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë. U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit. Peticione. Protesta. Kundërshti. Debate. Parashikime apokaliptike. Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij. Por në fund projekti u ndërtua. Dhe sot? Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës. Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz. Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës. Një rajon i vendosur si një perlë e rrallë në kurorën e turizmit botëror. Mijëra vende pune të mirëpaguara. Miliarda euro të gjeneruara për ekonominë. Shumë biznese lokale që janë rritur përreth. Prona që kanë fituar vlerë. Një territor i tërë që ka ndryshuar rrënjësisht pa humbur ekuilibrin mes natyrës dhe komunitetit”, shprehet Rama.
Kryeministri solli edhe disa të dhëna mbi performancën mjedisore të resortit, duke theksuar uljen e emetimeve të karbonit, përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe riciklimin e ujit.
“Dhe në këtë trajektore spektakolare transformimi ja edhe disa fakte kokëforta: 75% më pak emetime operacionale karboni krahasuar me vitin 2019. Mbi 185 mijë metra kub ujë të ricikluar dhe ripërdorur vetëm gjatë vitit 2024. 72% më pak plastikë njëpërdorimëshe. 100% energji elektrike nga burime të rinovueshme”, theksoi ai.
Duke e lidhur këtë shembull me Shqipërinë, Rama deklaroi se edhe vendi ynë mund të ketë “Costa Navarinon” e vet, duke përmendur Zvërnecin si një zonë me potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim turistik.
“Po Shqipëria s’mund ta ketë “Costa Navarinon” e saj? Patjetër që po, madje ende më rrezatuese botërisht mu aty, në Zvërnec, po si e qysh kjo nuk ka lidhje me historinë e këtij postimi, po me historinë e një projekti që ka ambicien të krijojë destinacionin më tërheqës të kësaj ane të Mesdheut”, shkruan kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, historia e Costa Navarinos dëshmon se kur vizioni, kapitali, teknologjia dhe përgjegjësia bashkohen, ato mund të transformojnë rrënjësisht një territor, duke ruajtur njëkohësisht ekuilibrin mes zhvillimit dhe natyrës.
(A2 Televizion)



