Rasti onkologjia, përshkrimi i barnave joefektive ka shkaktuar dëm në buxhet

Me parashtrimin e pyetjeve të kryqëzuara të mbrojtjes së këshilltarit teknik të Prokurorisë, Milan Risteski, sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup vazhdoi gjykimi për rastin “Onkologjia”, i cili zhvillohet kundër ish drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev, dhe dy onkologëve të tjerë, të akuzuar për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve, raporton MIA.

Këshilltari teknik i Prokurorisë, Milan Risteski, duke iu përgjigjur pyetjeve të kryqëzuara nga mbrojtja e Dragan Jakimovskit, tha se ekspertiza është e datës 26 janar të vitit 2024, ndërsa pjesa më e madhe e saj përbëhet nga dosje mjekësore të pacientëve të Klinikës së Onkologjisë që janë trajtuar dhe janë dërguar për ekspertizë jashtë vendit — në Slloveni dhe Serbi.

I pyetur nëse ishte i sigurt se ajo që kishte përzgjedhur për ekspertizë ishte i gjithë dokumentacioni mjekësor për këta persona, eksperti u përgjigj po, por theksoi se “atë që është paketuar dhe si është paketuar nuk e di”, sepse, siç tha ai, paketimin nuk e kishte bërë vetë.

I pyetur nëse në dokumentacionin e dorëzuar për ekspertizë kishte edhe pacientë të mjekëve të tjerë, eksperti u përgjigj po, për dokumentacionin që ai kishte në dispozicion.

Gjykata e obligoi ekspertin që brenda 15 ditëve të dorëzojë një njoftim me shkrim lidhur me pyetjen nëse ekziston ndonjë gabim teknik në raportet e përgatitura, i cili ka të bëjë me emrat e mjekëve ose terapinë e përfshirë në urdhër dhe në përfundimet e raporteve të cilët janë prezantuar.

Më herët sot, eksperti iu përgjigj pyetjeve të kryqëzuara nga mbrojtja e të akuzuarës Simonida Cërvenkovska, të cilat kishin të bënin me rekomandimet e Administratës për ushqim dhe barna të SHBA-së (FDA, Shoqata amerikane për onkologji klinike (ASCO)  dhe Shoqata evropiane për onkologji mjekësore (ECMO) lidhur me barnat dhe metodat e trajtimit të përdorura nga të akuzuarit.

“Rekomandimet janë një kategori e gjallë dhe e ndryshueshme dhe bazohen në rezultatet e studimeve klinike, por edhe në përvojën e fituar të onkologut”, theksoi eksperti.

Sipas ekspertit, përshkrimi i barnave joefektive ka sjellë dëm për buxhetin. Avokati theksoi se e akuzuara nuk përfshihet në atë pjesë të raportit, gjë që eksperti e konfirmoi. Eksperti nuk mundi të konfirmojë nëse ilaçi erlotinib që është dhënë ka qenë donacion apo mbetje nga pacientë të tjerë.

Eksperti gjithashtu u përgjigj se lënda e ekspertizës mjekësore ka qenë justifikim i barnave të dhëna, ndërsa burimi i barnave nuk ka qenë pjesë e lëndës së ekspertizës.

Seanca e radhës është më 15 qershor, kur, siç është njoftuar, Prokuroria duhet të përpiqet të sigurojë një pjesë të dëshmitarëve të propozuar që ende nuk janë dëgjuar dhe që deri tani nuk kanë mundur të sigurohen. Gjykata informoi se deri tani janë dëgjuar të gjithë përfaqësuesit ligjorë dhe të dëmtuarit për të cilët gjykata disponon dokumentacion personal për thirrjen e tyre. Më pas vijon dëgjimi i këshilltarit teknik të mbrojtjes.

Rasti “Onkologjia”, i cili shkaktoi reagime të stuhishme në publik, u nda nga Prokuroria në dy akuza, njëra prej të cilave “Onkologjia 1”, ku Vasev dhe dy onkologë të tjerë po gjykohen për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve, ndërsa në tjetrën, “Onkologjia 2”, dy ish-drejtorët Vasel dhe Nuhi po ndiqen penalisht për vepra të zgjeruara penale – keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, mashtrim në detyrë dhe përvetësim në detyrë.