Magyar do ta ndryshojë kushtetutën për ta larguar presidentin e zgjedhur nga Orbani

Qeveria hungareze do të ndryshojë kushtetutën për të larguar presidentin e vendit, si pjesë e përpjekjeve të kryeministrit të ri Peter Magyar për të eliminuar zyrtarët e emëruar gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit populist, Viktor Orban.

Magyar dhe partia e tij, Tisza, kanë arritur një fitore dërrmuese në zgjedhjet e prillit.

Me një shumicë prej dy të tretash në parlament, ata kanë mundësinë të bëjnë ndryshime të thella në sistemin politik që Orbani ka ndërtuar gjatë 16 vjetëve të tij në pushtet.

Që nga fitorja zgjedhore, Magyar i ka bërë vazhdimisht thirrje presidentit Tamas Sulyok, i emëruar nga partia e Orbanit, që të japë dorëheqjen ose të largohet përmes mekanizmave kushtetues.

Magyar i kishte vendosur Sulyokut afatin deri më 31 maj për t’u larguar nga posti, duke e quajtur vazhdimisht atë “kukulla e Orbanit”.

Megjithëse posti i presidentit është kryesisht ceremonial, ai është përgjegjës për nënshkrimin e ligjeve dhe ka të drejtën t’i dërgojë ligjet e miratuara nga parlamenti në gjykatën kushtetuese për shqyrtim.

Kjo ka ngritur shqetësime te mbështetësit e qeverisë së re se ai mund ta përdorë këtë kompetencë për të penguar planet e tyre.

Magyar ka zhvilluar bisedime me Sulyokun të hënën në mëngjes në Sandor Palace, rezidenca presidenciale.

Më vonë, në një konferencë për shtyp, Magyar ka thënë se presidenti kishte refuzuar të jepte dorëheqjen. Ai ka shtuar se do t’u kërkonte deputetëve të partisë së tij të nisnin menjëherë “procedurat e nevojshme” për largimin e presidentit, një proces që sipas tij do të zgjasë rreth një muaj.

Kryeministri nuk ka dhënë detaje konkrete mbi llojin e ndryshimit kushtetues që do të përdoret për ta larguar Sulyokun.

Magyar gjithashtu e ka akuzuar presidentin se kishte dështuar në përmbushjen e detyrave të tij në disa raste, përfshirë mosreagimin kur Orbani bëri deklarata që, sipas tij, çnjerëzonin kundërshtarët politikë dhe kritikët, si dhe kur qeveria e mëparshme miratoi ligjin që ndalonte zhvillimin e paradës së krenarisë LGBTQ+.

“Është në interesin e Hungarisë që ky institucion, zyra e presidentit, të rifitojë prestigjin që është dëmtuar nga heshtja dhe mosveprimi i tij”, ka thënë Magyar.

Të premten, zyra e Sulyokut ka publikuar një deklaratë ku thuhej se thirrjet e Magyarit për dorëheqjen e presidentit “ndikojnë negativisht si në funksionimin kushtetues ashtu edhe në autoritetin e institucionit të presidentit të republikës”.

Deklarata shtonte se Sulyok kishte kërkuar një vlerësim ligjor të konfliktit nga Komisioni i Venedikut, një grup ekspertësh juridikë që vepron pranë Këshillit të Evropës, organizata kryesore evropiane për të drejtat e njeriut.