Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vazhdojnë pavarësisht armëpushimit të brishtë të arritur në prill.
Gjatë fundjavës, ushtria amerikane kreu sulme ndaj objekteve radarike dhe qendrave të komandës iraniane, duke i cilësuar si veprime vetëmbrojtëse pas rrëzimit të një droni amerikan mbi ujërat ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Iraniane njoftoi se ka goditur një bazë ushtarake amerikane, ndërsa autoritetet në Kuvajt raportuan se kishin zmbrapsur sulme me raketa dhe dronë.
Në të njëjtën kohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar ndryshime në draft-marrëveshjen me Teheranin për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë globale të naftës. Trump kërkon garanci më të forta lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe lundrimin e lirë në ngushticë.
Megjithëse negociatat po vazhdojnë, Irani ka deklaruar se nuk do të miratojë asnjë marrëveshje pa u garantuar të drejtat e tij. Ndërkohë, pasiguria në rajon ka ndikuar edhe në tregjet energjetike, me çmimet e naftës dhe karburanteve që mbeten të larta.
Top Channel



