Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar dhunën ndaj protestuesve dhe duke theksuar se Partia Demokratike mbetet një mbështetëse e fortë e investimeve të huaja në Shqipëri. I pyetur nga gazetarët për qëndrimin e tij ndaj projektit që lidhet me investitorë të huaj, mes tyre edhe dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Berisha deklaroi se nuk disponon dokumentacionin e projektit dhe nuk mund të shprehet mbi përmbajtjen e tij konkrete.
“Së pari, në qoftë se është fjala për dhunën e ushtruar ndaj protestuesit, e dënoj atë. Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit. Së dyti, nuk kam asnjë faqe, asnjë fletë, asnjë gjë të atij projekti. Megjithëse t’ju them këtu, e kam ndjekur me shumë interes të gjitha publikimet që janë bërë. Së treti, Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja”, u shpreh Berisha.
Kreu demokrat theksoi se gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike ishte miratuar një ligj që synonte mbrojtjen e investimeve të huaja dhe zgjidhjen e konflikteve të pronësisë pa cenuar investitorët.
“Dhe kjo parti në pushtet, ja këtë tani ju kërkoj ta mbani shënim, ka patur një ligj. Një ligj i cili zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjen e pronësisë. Cili ishte ligji? Ligji thotë këtë: në rast se qeveria miraton një projekt të një investitori të huaj, i cili është bazuar në dokumente origjinale shtetërore pronësie, kadastre, dokumente origjinale, çdo problem që lind pas miratimit të qeverisë, qeveria i përgjigjet palës me çmimin e tregut. Ja u them këtu, pse u vu ky ligj? U vu ky ligj sepse konstatoja që me investitorë shqiptarë nuk ndodhte, kurse me investitorë të huaj vraponin pas pengmarrjes. Dhe informacionet që më vinin, dilte njëri e i thoshte jo, do paguash kaq se jam unë kaq. Dhe kjo linte vendin pa investime. Atëherë ne ç’ bëmë? Në qoftë se ti djem, nuk jam unë ai që them se s’di ç’janë dokumentat, por që është dokument shtetëror, do t’i dalë zot dhe do mbajë përgjegjësi. Do t’i dalë zot dhe do mbajë përgjegjësi shteti”, iu shpreh kreu demokrat.
(A2 Televizion)



