Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se e ka urdhëruar ushtrinë izraelitë që ta marrë mbi 70 për qind të territorit të Gazës.
Ai ka deklaruar se Izraeli po e “forcon” kontrollin mbi Hamasin, raportoi CNN.
“Ne tani jemi në 60 për qind të territorit të Rripit të Gazës. Ishim në 50 për qind, lëvizëm në 60. Urdhri im është që të lëvizim – hap pas hapi – drejt 70-shit. Të fillojmë aty”, ka thënë ai gjatë një interviste në një konferencë në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Derisa ai fliste, audienca i bënte thirrje që ta marrë të gjithë territorin e Gazës.
Forcat izraelite të Mbrojtjes patën publikuar harta në fund të prillit duke treguar se ushtria atëkohë veçse kontrollonte afërsisht 64 për qind të Gazës.
Kapja e më shumë territori të Gazës do të detyronte rreth 2 milionë palestinezët të jetonin në një pjesë gjithnjë e më të vogël në territorin e shkatërruar.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të tetorit 2025 midis Izraelit dhe Hamasit, forcat izraelite u tërhoqën në një vijë kufitare të njohur si “vija e verdhë” e cila përfshinte afërsisht 53% të Gazës.
Të martën, Hamasi akuzoi Izraelin për zhvendosjen e vijës, duke thënë se kjo “përbën një minim të qartë dhe të vazhdueshëm të marrëveshjes së armëpushimit, një shkelje serioze të dispozitave të saj dhe një përpjekje të hapur për të imponuar fakte të reja në terren me forcë, me qëllim forcimin e kontrollit ushtarak mbi Rripin dhe minimin e çdo shansi real për stabilizimin e situatës ose për të bërë që përpjekjet për depërshkallëzim të kenë sukses”.



