NATO reagon pas sulmit me dron në Rumani

NATO ka deklaruar se do të forcojë mbrojtjen e saj ndaj të gjitha kërcënimeve, pas incidentit ku një dron rus goditi një ndërtesë banimi në Rumani.

Ngjarja ndodhi gjatë një sulmi ajror të natës në Ukrainë dhe aleanca e ka dënuar atë që e ka cilësuar si “pakujdesi” nga ana e Rusisë.

“Do të vazhdojmë të forcojmë mbrojtjen tonë kundër të gjitha kërcënimeve, përfshirë dronët,” ka thënë një zëdhënës i NATO-s, shkruan SkyNews, përcjell Klankosova.tv.

Rumania është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndërsa në raste të tilla zbatohet parimi i mbrojtjes kolektive sipas Nenit 5, i cili e konsideron një sulm ndaj një anëtari si sulm ndaj të gjithëve.

Megjithatë, aktivizimi i Nenit 5 nuk nënkupton automatikisht ndërhyrje ushtarake, pasi çdo vend anëtar vendos vetë për formën e ndihmës që jep.

Ky nen është aktivizuar vetëm një herë në histori, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në ShBA.