Toshkovski: Pas shumë vitesh, MPB-ja ka një ministër që është normal

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot ka nxitur reagime të shumta në Kuvend, duke deklaruar se pas plot dy dekadash, Maqedonia më në fund ka marrë një „ministër normal“ në krye të MPB-së.

​Kjo vetëlëvdatë e tij, e cila në kulisat parlamentare u interpretua si një glorifikim direkt i vetvetes, automatikisht i futi në kategorinë e të „papërgjegjshmëve/jo-normalëve“ të gjithë paraardhësit e tij në këtë funksion – përfshirë Gordana Jankuloskën, Mitko Çavkovin dhe Oliver Spasovskin.

Në vend të përgjigjeve konkrete për serinë e pyetjeve të deputetëve lidhur me lëshimet në siguri, Toshkovski tha se MPB-ja nën udhëheqjen e tij po shënon suksese historike.

​„MPB-ja po jep rezultatet më të mira në 20 vitet e fundit dhe ju duhet të krenoheni me këtë, e jo të shpikni histori. Ju nuk mund ta pranoni që më në fund, pas shumë vitesh, ka një ministër që është normal“, porositi Toshkovski nga foltorja, duke e përfunduar me një metaforë rruge: „…do ta shohim se kush do të kruhet në fund të ditës“.