Kryeparlamentari Gashi pret delegacione ndërkombëtare në Forumin për Diplomaci Kulturore 2026

Kryeparlamentari Afrim Gashi, ka mirëpritur sot në Kuvend pjesëmarrësit e Forumit të Katërt për Diplomaci Kulturore 2026, duke e cilësuar këtë ngjarje si një platformë të rëndësishme për dialogun kulturor, bashkëpunimin dhe mirëkuptimin mes popujve.

Sipas njoftimit të Gashit, forumi ndërkombëtar, i organizuar nga Kabineti i ish-presidentit Gjorgje Ivanov, mblodhi përfaqësues institucionalë, diplomatë dhe personalitete të kulturës nga vende të ndryshme.

“Në forum u theksua rëndësia e kulturës si faktor i kohezionit social, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e kryeparlamentarit.

Gashi bëri të ditur se në diskutimet e zhvilluara u nënvizua edhe roli i parlamenteve në mbështetjen e kulturës, dialogut dhe politikave që forcojnë mirëkuptimin dhe solidaritetin, veçanërisht në kohë sfidash globale dhe zhvillimesh të shpejta teknologjike.

Ai gjithashtu falënderoi pjesëmarrësit për kontributin e tyre në forum, duke riafirmuar mbështetjen për iniciativat që promovojnë dialogun dhe vlerat demokratike.