Policia spanjolle ka zhvilluar kontrolle në selinë qendrore të Partisë Socialiste në pushtet në Madrid, në kuadër të një hetimi mbi dyshime për financime të paligjshme. Aksioni është kryer pas një urdhri të autoriteteve gjyqësore, të cilat po verifikojnë dokumente dhe materiale që mund të lidhen me skemën e dyshuar.
Sipas mediave në Spanjë, efektivët kanë hyrë në ambientet e partisë për të mbledhur prova dhe informacione që konsiderohen të rëndësishme për hetimin. Policia ka konfirmuar operacionin, por pa dhënë detaje shtesë, duke argumentuar se procedurat janë ende nën sekret hetimor.
Hetimet dyshohet se fokusohen te një mekanizëm i mundshëm financimi jashtë ligjit, ndërsa në vëmendje të prokurorëve janë edhe lidhje të mundshme me figura politike dhe persona pranë tyre.
Ndërkohë, qeveria e kryeministrit Pedro Sánchez po përballet prej kohësh me akuza dhe hetime të ndryshme për korrupsion, çka ka shtuar presionin politik ndaj socialistëve në pushtet. Në disa raste, hetimet kanë prekur edhe persona të afërt me zyrtarë të lartë të qeverisë.
Deri tani, autoritetet spanjolle nuk kanë bërë të ditur se kur mund të ketë përfundime konkrete apo akuza zyrtare lidhur me çështjen.
© SYRI.net



