Alarmi i heshtur: Rriten krimet seksuale ndaj të miturve në Kosovë

Shëndeti seksual është një nevojë themelore dhe e patjetërsueshme për çdo individ. Kjo rëndësi bëhet edhe më e madhe kur bëhet fjalë për fëmijë dhe të mitur, të cilët kërkojnë mbrojtje të veçantë. Cenimi i shëndetit dhe integritetit seksual të tyre nuk është vetëm shkelje e rëndë morale, por edhe vepër penale që dënohet me vite të gjata burgimi.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse rritja e numrit të rasteve të raportuara lidhet me ndërgjegjësimin më të madh të shoqërisë apo me shtimin real të këtyre veprave. Ajo që është e sigurt, është se shifrat zyrtare tregojnë një trend në rritje nga viti në vit, duke ngritur shqetësime serioze për sigurinë dhe mirëqenien e të miturve, raporton Klankosova.tv.

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, që i ka siguruar Klan Kosova, në periudhën janar-mars 2026, janë raportuar 6 raste të veprës penale “Ngacmim Seksual” me të mitur nën 16-18 vjeç.

Në tre muajt e parë të këtij viti, janë raportuar 7 raste të “Dhunimit” me të mitur, 5 raste të “Sulmit Seksual” me të mitur dhe 1 rast i veprës “Degradim i Integritetit Seksual” ndaj të miturve.

Rastet e veprave penale ndaj të miturve për vitin 2026

Një vit më herët, përgjatë 12 muajve, Policia e Kosovës ka evidentuar 19 raste të “Ngacmimit Seksual”, 29 raste të “Dhunimit”, 3 rate të veprës “Shërbim seksuale të viktimës së trafikimit”, 18 raste ”Sulm seksual”, 1 rast i veprës “Degradim i Integritetit Seksual” dhe 3 raste të veprës “Ofrimi i Materialit Pornografik i të Miturve”.

Rastet e veprave penale ndaj të miturve për vitin 2025

Përgjatë vitit 2024 janë regjistruar 25 raste të veprës “Ngacmim Seksual” me të mitur, ose 6 raste më shumë sesa viti 2025.

27 dhunime me të mitur ka regjistruar policia e Kosovës përgjatë vitit 2024. Të evidentuara janë edhe 26 vepra të “Sulmit Seksual” ndaj të miturve. 4 raste të veprës “Mundësi ose detyrim në Prostitucion” dhe 1 rast i veprës penale “Ofrim i lokaleve për prostitucion” ndaj të miturve.

Rastet e veprave penale ndaj të miturve për vitin 2024

Dëshira seksuale me të mitur, çrregullim psikologjik

Visar Sadiku, psikolog klinik, ka thënë për Klan Kosovën se pedofilia, përveç që konsiderohet çrregullim psikologjik/seksual, personat që vuajnë nga ky çrregullim “karakterizohen nga tërheqja seksuale ndaj fëmijëve dhe të miturve të cilët nuk kanë arritur ende maturimin e tyre biologjik seksual(pubertetin). Në rastin e pedofilisë është e rëndësishme të kuptojmë që tërheqja/impulsi – konsiderohet problem klinik dhe nevojitet trajtim profesional”.

Abuzimi seksual i fëmijëve, përveç se është vepër penale, dëmton thellë fëmijën në anën psikologjike, emocionale dhe sociale, thotë psikologu.

“Për qëllim diagnostikimi, ekspertët e shëndetit mendor vlerësojnë nëse impulsi seksual është i përsëritur dhe i qëndrueshëm, sa është kohëzgjatja, dhe nëse impulset shkaktojnë shqetësim të madh personit”, sqaron më tej psikologu klinik Visar Sadiku.

Ai thotë se kjo gjendje edhe mund të trajtohet dhe përfshihen psikoterapi afatgjatë me qëllim në kontrollimin e impulseve, trajtim i traumave ose problemeve te tjera psikologjike.

“Rekomandohet edhe trajtim me farmakologji/barna te cilat administrohen nga psikiatri. Qëllimi kryesor i trajtimit te personave me pedofili është kontrollimi i impulseve, rritja e vetëdijes dhe përgjegjësisë, si rezultat ulet edhe rreziku nga një sulm potencial”, thotë ai, raporton Klankosova.tv.

Çfarë pasojash lë abuzimi/ngacmimi seksual tek fëmijët?

Psikologu klinik Visar Sadiku, thotë se pasojat psikologjike nga sulmi apo ngacmimi seksual tek fëmijët janë shumë të thella. Ai thekson se në të shumtën e rasteve, fëmijët viktimë të ngacmimit/sulmit seksual përjetojnë ankth dhe frikë kronike, depresion, turp dhe faj të brendshëm, humbje besimi ndaj të tjerëve, çrregullime të gjumit, vështirësi në marrëdhënie intime më vonë, sjellje vetëlënduese ose mendime vetëvrasëse, problem me kufijtë personalë dhe simptome të stresit post traumatik (PTSD).

“Kur abuzimi ndodh nga një person i afërt, pra që gëzon besimin e fëmijës, trauma mund të jetë edhe më komplekse sepse prek ndjenjën bazë të sigurisë dhe besimit”, sqaron Sadiku për Klan Kosovën.

A trajtohen traumat e fëmijërisë?

Visar Sadiku thotë se traumat e fëmijërisë nga sulmi apo ngacmimi seksual, mund të trajtohen, por thekson se duhet trajtim dhe qasje e duhur.

“Ndër hapat më të rëndësishëm drejt shërimit janë kur trauma kuptohet dhe pranohet, pra nuk mohohet, personi pranon ndihmën e duhur profesionale cilësore, personi ka mbështetjen emocionale të të tjerëve dhe ndjen siguri si dhe kur trajtimi fillon herët, megjithatë, pasojat mund edhe të zgjasin me vite apo dhe të rikthehen në periudha stresi. Traumat e pa trajtuara ndikojnë në vetëvlerësim, vetëbesim, marrëdhëniet me të tjerët në të ardhmen shëndetin mendor dhe fizik si dhe mënyrën se si personi lidhet me të tjerët”, përfundon Sadiku.

Rastet e dhunimit në Kosovë në tremujorin e parë 2026, 2025 dhe 2024

Përveç të miturve, Klan Kosova është interesuar të dijë edhe për rastet e dhunimit me persona madhorë.

Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, janar-mars 2026, në Policinë e Kosovës janë regjistruar 17 raste të ngacmimit seksual, apo dy raste më shumë sesa në tre mujorin e parë të vitit të kaluar, që ishin regjistruar 15 raste. Ndërsa në vitin 2024 ishin regjistruar 24 raste.

dhunimet ne kosove mitur rritur
Rastet e dhunimit në Kosovë në tremujorin e parë 2026, 2025 dhe 2024 ndaj personave të rritur

Për veprën penale “Dhunimi” në tre muajt e parë të këtij viti ishin raportuar dhe trajtuar 13 raste, apo 13 raste më pak sesa në përudhën e njëjtë të vitit 2025. Ndërsa në vitin 2024 ishin raportuar 17 raste të dhunimit, raporton Klankosova.tv.

Për veprën penale “Shërbime seksuale të viktimës së trafikimit”, janë regjistruar vetëm 2 raste në tremujorin e parë të vitit 2025.

“Sulme seksuale” në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 12 raste, në të njëjtën periudhë në vitin 2025 – 8 raste, ndërsa në tremujorin e parë të vitit 2024, ishin raportuar 16 raste.

Për veprën penale “Degradimi i integritetit seksual” janë raportuar nga 1 rast në tre mujorin e parë të të tre viteve, 2026, 2025 dhe 2024.

Për “Ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”, janë raportuar vetëm 2 raste në tremujorin e parë të vitit të kaluar, 2025.

“Mundësimi ose detyrimi në prostitucion”, janë identifikuar 2 raste në tremujorin e parë ë 2026-tës, nga 4 raste më shumë ishin raportuar në periudhën e njëjtë në vitin 2025 dhe në vitin 2024.

“Ofrimi i lokaleve për prostitucion”, si vepër është përcaktuar në 2 raste në tremujorin e parë të këtij viti dhe në 2 raste të tjera në vitin e kaluar. /Klankosova.tv