Vazhdon heshtja institucionale për incidentin e ndodhur dy ditë më parë në Haraçinë, ku policia përdori armë zjarri gjatë ndjekjes së një kamioni me dru, duke shkaktuar panik dhe shqetësim te banorët e zonës. Pas mungesës së një deklarimi konkret nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, pa një qëndrim të qartë për rastin edhe bashkëkryetari i koalicionit VLEN, Izet Mexhiti. I pyetur nëse kishte kontaktuar me zëvendësministrin Iseni dhe si e vlerësonte situatën e krijuar në Haraçinë, Mexhiti tha se përgjigjet duhet t’i marrim nga MPB-ja.
“Ministrinë e Punëve të Brendshme duhet ta pyesni.”- deklaroi Bashkëkryetar i VLEN-it, Izet Mexhiti
Ndërkohë, zëvendësministri Astrit Iseni, i kontaktuar nga Alsat, përcolli vetëm deklaratën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, pa dhënë koment personal apo sqarime shtesë mbi rrethanat e incidentit dhe veprimet e policisë. Kjo ka nxitur reagime te qytetarët e Haraçinës, të cilët kërkuan që përfaqësuesit e MPB-së të dilnin në terren dhe të sqaronin publikisht ngjarjen, si dhe shqetësimet e banorëve për sigurinë në zonë.
Incidenti ndodhi gjatë ndjekjes së një kamioni të ngarkuar me dru. Gjatë lëvizjes, kamioni kishte derdhur dru në rrugë, ndërsa Ministria e Brendshme thotë se në përpjekje për ta ndaluar mjetin, kishte qëlluar me armë në ajër. Por ndryshe nga policia, disa banorë pretendojnë se policia kishte qëlluar në drejtim të kamionit. Ngjarja ndodhi në një zonë të banuar, çka shkaktoi frikë dhe panik te banorët, të cilët raportuan se u tronditën nga të shtënat dhe lëvizjet e shumta të policisë.
Banorët thanë se në momentin e incidentit në afërsi kishte edhe qytetarë dhe fëmijë, ndërsa disa persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të shqetësimeve të shkaktuara nga situata. Pavarësisht reagimeve të banorëve dhe interesimit publik, autoritetet deri më tani nuk kanë dhënë sqarime të hollësishme për përdorimin e armës nga ana e policisë dhe procedurat e ndjekura gjatë aksionit. /Alsat.mk



