Nëse kemi qenë në rrugë për t’u bërë një nga tre ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, pse po marrim sërish borxh? Opozita ngriti pyetje ndaj pushtetit për shkak të huamarrjes së re prej 260 milionë eurosh. Sipas tyre, bankat e huaja nuk i kanë miratuar fillimisht 300 milionë eurot e paralajmëruara, por vetëm 260 milionë, për shkak të mosbesimit ndaj shtetit. Fatmir Bytyqi, akuzoi se norma e interesit për kredinë është e lartë pikërisht për shkak të mosbesimit dhe borxheve të mëdha të shtetit.
“Të jemi të saktë, bëhet fjalë për një hua që nuk ka një arkitekturë konkrete projektuale të shpenzimit, shihet se qëllimi është i përgjithshëm dhe nuk lidhet me ndonjë hekurudhë, as me spital, as me kapacitete energjetike, as me zonë industriale, theksi është vendosur në shërbimin e likuiditetit të buxhetit i cili shpenzohet më shpejt sesa ekonomia mund të gjenerojë vlerë të shtuar,” tha Fatmir Bytyqi, deputet LSDM.
Bojan Stojanovski nga VMRO DPMNE tha se paratë do të përdoren për nevoja buxhetore, shpenzime kapitale dhe shlyerje të borxheve ekzistuese, ndërsa komentoi edhe normën e interesit.
“Sa është kamata totale, sot erdhëm në punë në ora 10:00, kishim një prezantim nga një partner ndërkombëtar, aty kishte disa shifra dhe përqindje dhe rejtingje të partive politike, unë do të them se kamata e këсај huamarrje, ose për ta shpjeguar figurativisht është më e ulët se rejtingu total politik i partisë suaj i cili për fat të keq në këtë moment është njëshifror, kjo është norma e interesit” – Bojan Stojanovski, deputet VMRO-DPMNE.
Në Kuvend u diskutua edhe për strategjinë fiskale. Për pushtetin ajo përfaqëson një strategji zhvillimore, ndërsa për opozitën është strategji mbijetese.
“Strategjia fiskale, në vend që të mbështetet në ndryshime strukturore, mbështetet në shpresë, gjithashtu mbështetet në supozimin se BPV do të rritet më shpejt se huamarrja dhe mbështetet në një pyetje për të cilën nuk ka përgjigje, si do të amortizohen goditjet e ardhshme të çmimeve, vetë strategjia është një pranim i drejtpërdrejtë se projeksionet e mëparshme kanë qenë joreale, për shkak se qeveria për vitin 2026 e ul rritjen e pritur të BPV-së nga 3,8 në 3,5 për qind dhe përsëri e korrigjon inflacionin nga 2,5 në 4,5%” – Sanja Llukarevska, deputete LSDM.
Sipas zëvendësministrit të financave, Nikollçe Jankullovski, strategjia e re fiskale është rezultat i menaxhimit të përgjegjshëm të qeverisë.
“Me çfarë të drejte ju i tregoni kësaj Qeverie e cila siguron 6 tremujorë rresht rritje ekonomike të shtetit me mesatarisht 3 për qind rritje të BPV-së, kur në periudhën nga 2017 deri në tremujorin e dytë të vitit 2026 e dyfishuat borxhin publik me një rritje mesatare ekonomike të BPV-së prej 1,9%, çfarë siguruat ju me atë rritje të dyfishtë të borxhit publik për të mirën e qytetarëve,” deklaroi Nikollçe Jankullovski, zëvendësministër i financave. /Alsat.mk



