“Credi Yes” (Kredi jes) është kompania financiare për kredi të shpejta, të cilës Ministria e Financave ia ka hequr licencën për punë për shkak të parregullsive në funksionim, zbuloi emrin portali Faktor.
Kompania financiare, pas së cilës qëndrojnë pronarë nga Bullgaria, po i mbyll rreth 40 filialet e saj në gjithë vendin, ndërsa rreth 120 punonjës kanë marrë njoftim se aktiviteti i kompanisë ndërpritet. “Credi Yes” do të ketë të drejtë vetëm të vazhdojë me arkëtimin e borxheve ekzistuese.
Ministria e Financave më herët njoftoi se i është hequr licenca një prej kompanive më të mëdha financiare në treg, pasi gjatë një mbikëqyrjeje të jashtëzakonshme të realizuar pas ankesës së një qytetari, janë konstatuar shkelje serioze të obligimeve ligjore, pa u bërë publike më konkretisht se për çfarë shkeljesh bëhet fjalë.
“Mbikëqyrja konstatoi shkelje të rënda të dispozitave ligjore, veprim në kundërshtim me rregullat për mbrojtjen e konsumatorëve dhe praktika me të cilat qytetarët – shfrytëzues të shërbimeve financiare janë vënë drejtpërdrejt në rrezik”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Për shkak të seriozitetit të shkeljeve dhe parregullsive të konstatuara, Ministria e Financave në muajin maj ka marrë vendim për heqjen e licencës së kompanisë financiare.
“Credi Yes” (Kredi jes) kishte nisur punën në Maqedoninë e Veriut në vitin 2019. Gjatë vitit të kaluar, nga rreth 4 milionë euro të ardhura, kompania realizoi fitim prej rreth 1.15 milionë euro.(INA)



