Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk do t’i përmbushë plotësisht të gjitha reformat e parapara deri në fund të qershorit, edhe pse zyrtarisht insiston se vendi nuk është në “linjë të kuqe” dhe se dinamika e punës është përshpejtuar. Fokusi kryesor mbetet te 10 reformat që ndodhen në të ashtuquajturën “grejs periudhë”, një afat shtesë deri në 12 muajsh, që përfundon në qershor. Sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Bekim Sali, pritet që nga këto 10 pika, të realizohen 9 e gjysmë, ndërsa një prej tyre mbetet ende e pasigurt dhe do të vlerësohet nga Brukseli. Mirëpo, këto nëntë e gjysmë mund të bëhen tetë e gjysmë, përkatësisht, në pikëpyetje është Kodi Zgjedhor, i cili miratohet me konsensus, ndërkohë LSDM e ka braktisur grupin që punon për Kodin Zgjedhor dhe përderisa është ajo vendimmarrje, Kodin Zgjedhor nuk mund ta miratohet, raporton Portalb.mk.
Sali shprehet optimist se pika e parë, që ka të bëjë me subvencionimin e energjisë elektrike, mund të vlerësohet pozitivisht në mënyrë të pjesshme, duke u konsideruar si progres real nëse institucionet tregojnë angazhim të mjaftueshëm. Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon Komisionit Evropian, i cili do të vlerësojë nëse progresi i arritur justifikon një njohje të pjesshme apo të plotë.
Reforma në fjalë lidhet me subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët. Qeveria thekson se kjo pikë kërkon më shumë kohë dhe një qasje më të kujdesshme, duke lënë të kuptohet se nuk do të zbatohet plotësisht brenda afatit të paraparë.

“Nëse flasim për pikat, të cilat kanë grejs periudhë deri në fund të qershorit, informacioni i fundit është, pasi këto deklarata kanë qenë para 1 muaji kur pritnim të ketë ngecje, presim që nga 1o pikam, t’i plotësojmë 9 e gjysmë. Kjo gjysma është, që një pikë mbetet të jetë e trajtuar nga ana e KE-së e cila ka vërtetë ka nevojë për dinamikë më të gjatë dhe ta vlerësojnë angazhimin institucional të Qeverisë dhe institucioneve tjera, se jemi në drejtim të plotësimit të asaj pike. Mbetet vlerësimi i tyre, do ta vlerësojnë si gjysmë pikë apo nuk do ta marrin parasyshë. Unë mendoj se ata do ta pranojnë si gjysmë pikë, që pastaj të kemi edhe një periudhën tjetër, gjysmën tjetër ta plotësojmë. Edhe ashtu është çështje subvencionimi të energjisë elektrike për qytetarët, e cila de fakto është në interes të qytetarëve të mos ta plotësojmë ose pjesërisht, me dinamikë të zvogëluar ta kemi plotësimin e saj”, tha Sali.
Nga ana tjetër, në fillim të këtij muaji, kryeministri Hristijan Mickoski, deklaroi se dy hapa nga agjenda reformuese nuk do të përmbushen, ndërsa gjithçka tjetër do të përfundohet deri në qershor, kur përfundon periudha grejs e dhënë nga Komisioni Evropian. Ai këtë e deklaroi duke iu përgjigjur kritikave të opozitës për bllokimin e agjendës reformuese. Siç u shpreh, jo vetëm që nuk ka ngecje të reformave, por ka progres, dhe Maqedonia nga vendi i fundit tani është krah për krah me liderët e reformave në rajon.
“Dje në qeveri patëm një takim të gjatë me ministrat përkatës, të cilët deri në fund të qershorit duhet t’i dorëzojnë hapat tashmë të nisur. Mund të them se të gjitha ato 10 që janë të mbetura, me përjashtim të dy, nuk do të dorëzohen. I pari është ai pjesë ku kërkohet nga shteti të mos sigurojë 100 përqind energji elektrike për amvisëritë dhe të gjithë ata përdorues të energjisë elektrike nga furnizuesi. Dhe hapi i dytë është Kodi Zgjedhor, e dini se ai miratohet me konsensus, LSDM e ka braktisur punën e grupit që punon për Kodin Zgjedhor dhe përderisa është ajo vendimmarrje, ne Kodin Zgjedhor nuk mund ta miratojmë”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.
Kryeministri tha se nëse mbizotëron arsyeja në Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), të dhjetë detyrimet e mbetura nga Agjenda e Reformave do të përfundojnë deri në fund të qershorit.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Sali, nuk sqaroi qartë nëse 65,7 milionë eurot përfaqësojnë mjete të reja të fituara përmes reformave aktuale apo janë fonde të lidhura me obligime të vjetra të parealizuara. Në vend të një ndarjeje të saktë financiare, Sali foli në mënyrë të përgjithshme për “dinamikë pune” dhe koordinim institucional.
“E dini që të gjitha pikat kanë afat për zbatim dhe grejs periudhë prej 12 muajsh. Disa pika janë në afatin e rregullt, e disa në grejs periudhë. Tani p.sh. për këtë transh, këtë grup pikash që duhet t’i zbatojmë, 10 janë në grejs periudhë që duhej të zbatoheshin deri në qershor 2025, ne i zbatojmë deri në qershor 2026, që përsëri llogaritet për zbatim të rregullt. Normalisht në grejs periudhë, që është paraparë dhe rënë dakord me KE-në. Kështu që ne ndjekim dinamikën, të mos kemi ngecje në zbatimin e këtyre hapave. Komunikimin e ndiqni besoj, çdo 10 ditë kemi takime të përbashkëta me të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces dhe si proces nuk mbetet jashtë fokusit të qeverisë”, tha Sali.
Sali gjithashtu konfirmoi se Qeveria kishte vendosur si objektiv që hapat reformues të përmbusheshin para Samitit të Tivatit në fillim të qershorit, por tani pranon se teknikisht afati shtrihet edhe për 25 ditë të tjera, deri në fund të qershorit dhe mesin e korrikut për dorëzimin e dokumentacionit në Komisionin Evropian.
Përndryshe, në periudhën e tretë raportuese, shteti raportoi 21 hapa reformues të realizuar. Nga këto, 16 hapa janë vlerësuar pozitivisht, ndërsa ajo që është veçanërisht domethënëse për zëvendëskryeministrin Sali është fakti se tre hapa janë realizuar para afatit të paraparë, por jo se 5 hapa të tjerë llogariten të parealizuara nga Komisioni Evropian.
Pavarësisht kësaj, autoritetet insistojnë se vendi nuk është në rrezik serioz të humbjes së fondeve dhe se procesi po zhvillohet sipas planit. Sipas tyre, edhe në rast të vonesave, mekanizmi i grejs periudhës është pikërisht për të shmangur penalizime të menjëhershme dhe për të lejuar vazhdimësinë e reformave.
Afati formal për përmbushjen e këtyre reformave është fundi i qershorit, ndërsa pas kësaj periudhe ekziston edhe një afat shtesë prej disa javësh për kompletimin e dokumentacionit dhe dorëzimin e tij në Komisionin Evropian.
Në fund, vlerësimi i Brukselit do të jetë vendimtar për të përcaktuar nëse progresi aktual është i mjaftueshëm, apo nëse kjo “gjysmë pike” do të peshojë më shumë sesa duket në raportin final për vendin.
Përndryshe, Komisioni Evropian më 20 maj miratoi këstin e ri prej 65,7 milionë eurosh për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Prej tyre:
- 30,6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror;
- ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për projekte zhvillimore dhe investime strategjike përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.



