Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, që konfirmon mbështetjen e SHBA-së për zhvillimin e FSK-së në forcë moderne, paraqet dëshmi të progresit të Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse.
Ai ka theksuar se përkrahja amerikane mbetet vendimtare për Kosovën.
“Ky vlerësim paraqet një dëshmi të qartë të progresit të arritur nga Republika e Kosovës në forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse, në përputhje me standardet euro-atlantike dhe në partneritet të ngushtë me SHBA-në dhe aleatët tanë. Përkrahja amerikane ka qenë dhe mbetet vendimtare në rrugëtimin tonë drejt ndërtimit të një force të aftë për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve tanë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Tutje Maqedonci ka shtuar se angazhimi i Kosovës për t’iu bashkuar përpjekjeve shumëkombëshe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dëshmon se ajo është një partner i besueshëm dhe një kontribuues aktiv në sigurinë rajonale dhe globale.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të investojë në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse, në forcimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë dhe në avancimin e aspiratës sonë të palëkundur për integrim të plotë euro-atlantik”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara thanë se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i interesave ekonomike amerikane në rajon e bëjnë SHBA-në “më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë”, sipas një dokumenti të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH). Raporti thotë se “kontestet e pazgjidhura dhe ndasitë e mbetura e minojnë stabilitetin rajonal”.
Dokumenti po ashtu thekson mbështetjen për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale, si dhe përmend modernizimin e termocentraleve me qymyr dhe projektet e gazifikimit të qymyrit në Kosovë si pjesë të prioriteteve energjetike në rajon.



