“Më vdiqën dy shokë”, nxënësit e shkollave të mesme në Pollog të ekspozuar ndaj drogës: Situata ka dalë jashtë kontrollit

Rrëfimi i një ish-përdoruesi droge nga Tetova, i cili nisi të konsumojë që në moshën 16-vjeçare ku më pas i vdiqën dy shokë, pasqyron një realitet shqetësues i cili po merr përmasa alarmante dhe që konfirmohet edhe nga anketa e Portalb.mk për përdorimin e lëndëve narkotike nga nxënësit e shkollave e mesme të rajonit të Pollogut i cili përfshin nëntë komuna (Tetovë, Gostivar, Vrapçisht, Tearcë, Zhelinë, Bogovinë, Jegunovc, Bërvenicë, Mavrovë-Rostushë). Nga dëshmitë e nxënësve për prani të drogës në oborret e shkollave, te prindërit që flasin për gjendje “katastrofale” dhe akuzojnë për heshtje institucionale, del në pah kriza ku fenomeni po normalizohet ndërsa reagimi mbetet i dobët dhe i vonuar.

Rrëfimi i një ish përdoruesi droge: Mos e bëni, më vdiqën dy shokë, qëndroni sa më larg!

Ishte viti i dytë në shkollë të mesme në Tetovë, vetëm 16 vjeç kur për herë të parë filloi të përdorë lëndë narkotike, e gjithë kjo filloi pas shoqërimit me shokë të cilët tani më ishin konsumues.

“Dilnim bashkë, ato pinin marihuanë, unë alkool, derisa fillova ta provoj edhe unë. Rregullisht kam konsumuar alkool dhe marihuanë. Kam provuar kërpudha dhe ekstazë”, tregoi për Portalb.mk i riu nga Tetova i cili preferoi të flet në kushte anonimiteti.

Ai tregon se për fatin e tij të mirë ndaloi së konsumuari lëndët narkotike, por efektet më pas ishin shkatërruese për atë.

“Refuzova ta pi, në fakt. Krejt e ndezën unë thash “jo nuk e pi”. Ato krejt thanë “Çka u bë? Pse nuk do? Kemi shkuar deri në Shkup e kemi marrë. Rezil jemi bë për ty”. Vetëm thash “Nuk dua”. Prej atë ditë, dy javë ditë, kam pasur kokëdhimbje, të thuash duan të ta nxjerrin prej vendi, prej te qafa lartë, edhe hunda, edhe dhëmbët, edhe krejt. Pastaj plasën edhe sinuset, më e keqja që ishte”, tha ai.

Ai apelon që të rinjtë mos të mashtrohen që t’i provojnë lëndët narkotike, sepse përfundimi nuk është i mirë. Ai madje tregon se dy nga shokët e tij kanë humbur jetën nga substancat narkotike.

Foto nga Jonathan Gonzalez / Unsplash
Foto nga Jonathan Gonzalez / Unsplash

Portalb pyeti qytetarët, nxënësit, prindërit dhe shkollat. Ç’thonë rezultatet?

Analiza e të dhënave nga anketa publike e Portalb.mk tregon një realitet krize të nxënësve në shkollat e mesme të Pollogut, ku përdorimi i lëndëve narkotike përshkruhet si situatë e dalë nga kontrolli.

Situata paraqitet si gjendje e jashtëzakonshme ku moshat e mitura në shkollat e mesme janë të ekspozuara ndaj substancave që në hapat e parë të adoleshencës.

Mendoj se gjendja është alarmante dhe shumë më e rëndë sesa perceptohet në publik. Përdorimi i lëndëve narkotike te nxënësit e shkollave të mesme në rajonin e Pollogut kërkon vëmendje urgjente dhe angazhim më të madh nga të gjitha institucionet përkatëse. Është e domosdoshme të rriten kontrollet, aktivitetet parandaluese dhe ndërgjegjësimi, sepse sipas mendimit tim situata ka filluar të dalë jashtë kontrollit”, thotë një prind.

Zëri i nxënësve: Izolimi dhe normalizimi i rrezikut

Për nxënësit që lëvizin çdo ditë nëpër korridoret e shkollave, prania e drogës është shndërruar në element pothuajse të zakonshëm të mjedisit të tyre.

Ata dëshmojnë se konsumimi i lëndëve narkotike nuk ndodh në skutat e errëta të qytetit, por afër shkollave, duke specifikuar vazhdimisht oborret e shkollave si pika kryesore të grumbullimit dhe konsumit.

Ndjenja e pasigurisë mbizotëron në dëshmitë e tyre, ku shumë prej tyre pranojnë se nuk raportojnë pasi nuk shohin asnjë rrugëdalje apo ndryshim.

“Nuk e kam raportuar se prapë ato konsumojnë dhe nuk kam çfarë të bëj”, thotë një nxënëse.

Ky hezitim për të folur buron edhe nga presioni social, ku frika nga stigmatizimi ose përjashtimi prej grupit shoqëror i shtyn të rinjtë jo vetëm të heshtin, por ndonjëherë edhe të provojnë substanca vetëm për t’u ndjerë të pranuar në rrethin e tyre.

Nxënësit e Gjimnazit "Kirili Pejçinoviq" në bojkot, kërkojnë shkurtim të orëve për të arritur iftarin në shtëpi. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Nxënësit e Gjimnazit “Kirili Pejçinoviq”. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk (arkiv)

Shqetësimi i prindërve: Mes frikës dhe mosbesimit te sistemi

Prindërit e rajonit të Pollogut shprehen me ton tejet të rënduar, duke e quajtur gjendjen katastrofale dhe tragjike.

Shumica nga ata e ngrenë alarmin se janë të njoftuar për raste të përdorimit të narkotikëve në shkollat ku mësojnë fëmijët e tyre dhe se janë të rrezikuar nga qasje tejet e lehtë ndaj drogës, ku pilula dhe substanca të ndryshme shiten hapur.

Ndërkohë që shkollat akuzohen se shpesh zgjedhin të heshtin për të mbrojtur reputacionin e tyre institucional.

“Vlerësoj se edhe pse dihen në cilat shkolla shiten lende narkotike, me qëllime politike apo qëllime që mos dëmtohet reputacioni i shkollave e mbajnë fshehtas. Nëpër shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës shitet qofte droge e njohur qofte pilula qe përmbajnë substanca që demtojnë”, thotë një prind.

Shqetësim i veçantë ngrihet për mungesën e kontrollit mbi mjetet financiare që kanë nxënësit, ku prindërit vërejnë me keqardhje se fëmijë të moshës 15-vjeçare mbajnë shuma të mëdha parash me vete, gjë që rrit rrezikun e përfshirjes në aktivitete ilegale.

Për ta, familja ka rol kryesor, por ata ndihen të vetmuar në këtë betejë nëse nuk ka mbështetje reale nga shkolla dhe policia.

“Fatkeqësisht askush nuk përkujdeset e shqetësohet aq shumë, ndonëse ka shfaqje të shqetësimit dhe ka individë (profesorë të caktuar) që mundohen të “mbajnë diçka nën kontroll”, por fatkeqësisht më e madhja që mund të bëjnë është të flasin me prindërit. Por, fatkeqësisht ka edhe nga ata që s’ua përçojnë as prindërve”, thotë një prind.

Stafi i shkollave e pranon problemin

Nga stafi i shkollave, tregojnë se kanë hasur raste të dyshimta ku nxënësit kanë përdorur lëndë narkotike.

Problem mbetet mungesa e stafit profesional në shkolla, ku është raportuar se nuk ka kuadro të mjaftueshme të cilët do të trajtonin këto raste.

Institucionet mes dështimit sistemik

Kur vjen puna te përgjegjësia, gishtat drejtohen pothuajse njëzëri drejt dështimit të institucioneve shtetërore, por nuk ngelin pas as prindërit.

“Prindërit pa pikë dyshimi s’kanë asnjë lloj kontrolle mbi fëmijët e tyre arsyet janë banale”, thotë një qytetar.

Nga perceptimi i nxënësve dhe prindërve, shkollat kanë një rol që shpesh mbetet i kufizuar në aktivitete sipërfaqësore, si ligjërata apo paralajmërime të herëpashershme. Mungon sistem i qëndrueshëm parandalimi dhe monitorimi.

Reagimi institucional përshkruhet si i vonuar në disa raste, duke mos arritur të ndikojë në mënyrë të dukshme në uljen e fenomenit.

Pamje nga pjesa e përparme e oborrit të shkollës fillore "Goce Delçev" Gostivar. Foto, Portalb.mk
Pamje nga pjesa e përparme e oborrit të shkollës fillore “Goce Delçev” Gostivar. Foto, Portalb.mk

Nevoja për qasje të re

Të dhënat sugjerojnë se zgjidhja nuk qëndron vetëm te dënimet, por te ndryshim irrënjësor i qasjes shoqërore.

“Nuk jam dakord që përgjegjësia t’i atribuohet vetëm familjes. Sigurisht që familja ka një rol shumë të rëndësishëm, por nuk është faktori i vetëm. Ndikimi social është po aq i fuqishëm, sidomos në periudhën e adoleshencës, e cila është ndër fazat më të vështira të jetës së një individi. Një adoleshent është shpesh i vështirë për t’u mbajtur nën kontroll dhe i ndjeshëm ndaj ndikimeve të jashtme. Disa e provojnë nga kureshtja për diçka të re, ndërsa të tjerë nga frika e përjashtimit nga grupi shoqëror, duke ndjerë presion për t’u përshtatur. Për këtë arsye, mendoj se përgjegjësia është e përbashkët. Ajo ndahet mes familjes, shkollës, arsimtarëve, si dhe profesionistëve si psikologët dhe sociologët, por edhe institucioneve në tërësi. Është një zinxhir ku çdo hallkë ka rëndësinë e vet, dhe nëse njëra dështon, rreziku për përhapjen e këtij fenomeni rritet ndjeshëm”, thotë një prind.

Nevojitet siguri më e madhe fizike nëpër shkolla, me kontroll të rreptë të hyrje-daljeve, por mbi të gjitha nevojitet një marrëdhënie më njerëzore dhe më pak gjykuese mes profesorëve dhe nxënësve.

Siç shprehet një nga qytetarët e anketuar, arsimtarët duhet të trajnohen që t’i kuptojnë nxënësit dhe t’i mbështesin ata, në vend që t’i stigmatizojnë, duke krijuar një mjedis ku të rinjtë ndihen të dëgjuar dhe jo të dëbuar, sepse vetëm përmes një zinxhiri të fortë familje-shkollë-institucione mund të menaxhohet kjo situatë që kërcënon të ardhmen e rinisë së Pollogut.

“Ajo që duhet të ndryshojë urgjentisht është qasja jonë si shoqëri ndaj këtij problemi. Së pari, kemi nevojë për prindër që dinë të komunikojnë siç duhet me fëmijët e tyre. Nuk mjafton vetëm që fëmijët të shkojnë te psikologu; edhe prindërit duhet të kërkojnë ndihmë profesionale për të mësuar mënyrat e duhura të komunikimit dhe mbështetjes. Po ashtu, roli i shkollës është thelbësor. Nuk pajtohem me qëndrimin se shkolla është vetëm për arsimim dhe jo për edukim. Arsimtarët duhet të jenë të informuar dhe të trajnuar për tema të tilla, në mënyrë që t’i kuptojnë nxënësit, jo t’i gjykojnë. Nxënësit duhet të ndihen të dëgjuar dhe të mbështetur, jo të stigmatizuar. Në të njëjtën kohë, është e domosdoshme një përfshirje më e gjerë e shoqërisë përmes fushatave të ndërgjegjësimit dhe një angazhim më serioz i institucioneve. Vetëm përmes një qasjeje të përbashkët dhe të koordinuar mund të ndihmojmë të rinjtë ta kalojnë këtë fazë dhe të parandalojmë përhapjen e mëtejshme të këtij fenomeni. Si juriste, jam e vetëdijshme që fenomene të tilla nuk mund të zhduken plotësisht”, thotë një prind.

Shumë nga të anketuarit sugjerojnë se qëllimi duhet të jetë parandalimi, ndërhyrja në kohë dhe krijimi i mekanizmave efektivë që e mbajnë këtë problem nën kontroll.

Storja do të vijojë me pesë tekste të tjera ku do të trajtohen aspekte të ndryshme të problemit të përdorimit të lëndëve narkotike nga nxënësit e shkollave të mesme në Pollog.